Lajme Shqip Tuesday, 05 June 2012 16:35

Tiranë – Këshilli i Evropës ka publikuar sot një raport të dy monitoruesve të saj ku theksohet se zgjedhjet presidenciale mund të luajnë një rol normalizues të situatës politike në Shqipëri.

Raporti i monitoruesve të Asamblese Parlamentare të Këshillit të Europës vë re se po zhvillohet “një qëndrim më konstruktiv” nga ana e partive politike në Shqipëri. Ndërsa klima politike në Shqipëri është ende e tensionuar,  një qëndrim më konstruktiv nga ana e të gjithave forcave politike po bëhet më i qartë, thuhet në raportin e  bashkë-raportuesve të APKE, Tomás Jirsa dhe Grigore Petrenco.

Në një leter informuese gjatë një vizite në Tiranë në muajin Prill, të publikuar këtë javë, ata raportojnë se, “kjo fryme e re bashkëpunimi duket se u ndikua nga dëshira e përbashket e të gjitha partive politike që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në fund të vitit”.
“Zgjedhjet presidenciale mund të luajnë një rol të rëndesishëm normalizues”, shprehen ata, “nëse forcat kryesore politike arrijnë të gjejnë një kandidat të dakordësuar nga të dyja palët për postin e Presidentit”.

Ata gjithashtu përshendetën një ndryshim kushtetues për heqjen e imunitetit.
Raporti i KiE u publikua nga dy bashkë-raportuesit e APKE të cilët vizituan Shqipërinë gjatë misionit të tyre në datat 2 dhe 3 prill të këtij viti. Reporterët deklarojnë se do ta vizitojnë sërish Shqipërinë në vjeshtën e këtij viti, pas përfundimit të zgjedhjes së Presidentit të ri. (LajmeShqip.com)