Lajme Shqip Tuesday, 27 September 2011 21:46

Mitrovicë – Portali LajmeShqip.com ka raportuar gjatë ditës për tentim rrëmbimi dhe pengmarrjeje të ushtarëve të KFOR-it, mbrëmë nga bandat serbe në veri, më parë se forcat e KFOR-it të kundërpërgjigjeshin.

Ndërsa në një konferencë shtypi, zyrtarë të KFOR-it kanë konfirmuar para pak momentesh se mbrëmë kanë qenë të sulmuar nga serbët, më parë së të përgjigjeshin me zjarr.

Këtë e ka bërë të ditur sonte, në një konferencë për media, në Prishtinë, zëdhënësi i KFOR-it, Ralph Adametz.

Zëdhënësi i KFOR-it ka thënë se në një pikë kontrolli të KFOR-it, në kufirin Kosovë-Serbi, forcat e KFOR-it, me mbështetjen e EULEX-it, kanë krijuar një pikë kontrolli për të ndaluar një kamion. Kamioni nuk ishte ndaluar dhe ka goditur një ushtar të KFOR-it.

“Pas paralajmërimit me gojë, një ushtar ka shtënë, duke e lënduar një civil, i cili ka dashur ta vjedhë armën. Ai është marrë nga vendi, nga një autoambulacë dhe nuk kemi dijeni për gjendjen e tij aktuale”, ka thënë ai, duke konfirmuar edhe plagosjen e katër ushtarëve të KFOR-it në këto zhvillime.

Situata në veri të Kosovës është qetësuar pak në mbrëmje. Autoritetet e sigurisë kanë thënë të martën në mbrëmje në një konferencë për shtyp se krejt dhuna e ditës është shkaktuar nga serbët. Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Havton, është shprehur në konferencën për shtyp, në selinë e EULEX-it, para një ore se EULEX dhe KFOR kanë kryer një operacion të përbashkët për të marrë kontrollin e një pike kufitare të paautorizuar, afër me Portën 1, në Jarinjë.

Faza e parë e këtij operacioni kaloi në mënyrë paqësore dhe pa incidente. “Më vonë, disa individë u përpoqën të çajnë përmes linjave të KFOR-it. Një kamion u drejtua drejtpërdrejt në linjat e KFOR-it. Turma shpërtheu. Dhuna është treguar në drejtim të ushtarëve të KFOR-it, të cilët ishin duke u përpjekur për të zbatuar kontrollin mbi pikën e paligjshme të kalimit”, ka thënë ai.

“EULEX-i do të doja të bëjë një numër pikash të qarta. EULEX-i dhe KFOR-i janë të pranishëm në Jarinjë dhe Bërrnjakë, për të zbatuar sundimin e ligjit. Dhuna kundër KFOR-it ose EULEX-it nuk është e pranueshme. Dhuna është dënueshme. Është e rëndësishme që të gjithë të tregojnë përmbajtje dhe të veprojnë me përgjegjësi”, tha Havton.

Thirrja e EULEX-it për ata individë të cilët kanë ndërtuar barrikada në zonë është që t’i heqin ato në mënyrë që të mund të ketë liri të lëvizjes. EULEX-i është duke i vlerësuar rrethanat e dhunës, me qëllim nisjen e një hetimi, ka bërë të ditur ky mision.
(LajmeShqip.com)