Lajme Shqip Friday, 30 December 2011 16:54

Një ankand i jashtëzakonshëm i zhvilluar dje nga Qeveria për të marrë borxh nëpërmjet emetimit të bonove të thesarit ka sjellë rritje të papritur të interesit të tyre.

Në ankandin e djeshëm, norma mesatare e ponderuar e interesit për bonot me maturim 12-mujor ishte 7.04%.

Ndërkohë, deri në ankandin e mëparshëm, që ishte zhvilluar jo më larg se data 27 Dhjetor, bonot kishin vazhduar në tendencën rënëse të interesave dhe kishin arritur nivelin 6.73%.

Por, me sa duket për shkak të një nevoje emergjente për likuiditet, Qeveria ka vendosur të kërkojë një tjetër borxh 12-mujor me vlerë 3.4 miliardë lekë.

Kjo kërkesë e paplanifikuar ka bërë që investitorët të ofrojnë norma më të larta interesi, çka i ka dhënë një rritje të papritur interesit të borxhit publik.

Ndërkohë, nëse i referohemi borxhit të marrë sipas planifikimit, edhe për bonot me afat 3-mujor interesat u paraqitën në rënie.

Në ankandin e radhës të zhvilluar këtë javë, norma mesatare e ponderuar e interesit ishte 5.15%, nga 5.48% që ishte në ankandin paraardhës.

Përtej efekteve të shkaktuara nga kërkesa e paparashikuar e Qeverisë për financim, interesat e bonove të thesarit pritet të ruajnë një tendencë rënëse edhe në fillimin e vitit 2012.

Ulja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, disponueshmëria e madhe e sistemit bankar për financim dhe prirja konsoliduese e buxhetit të vitit të ardhshëm janë të gjithë faktorë që do të çojnë në interesa më të ulëta të borxhit të brendshëm publik.