Lajme Shqip Sunday, 22 May 2011 08:50

Kërçovë – Bashkimi Demokratik për Integrim ka prezantuar fushatën parazgjedhore para banorëve të Kërçovës. Lideri i kësaj partie, Ali Ahmeti në fjalimin e tij ka thënë se BDI nuk është vetëm një forcë politike, por është pasuri kombëtare, sepse siç ka pohuar, “në gjirin e saj përfshinë atdhetarë patriotë, të cilët pesëdhjetë vite kanë punuar për çështjen kombëtare”. “Të gjithë shekujt kanë lëvizjet e tyre, ata kanë simbolikat e tyre të ngjarjeve të mëdha, por ama, fundi i shekullit njëzet dhe fillimi i shekullit njëzetenjë do të mbeten në arkiva, sepse ne, shqiptarët, e ngritëm zërin për lirinë, zërin për demokracinë, zërin për ardhmërinë dhe ky zë kaq i fuqishëm trokiti thellë në zyrat e Evropës dhe SHBA-ve dhe të gjitha këto forca u rreshtuan pas gabimeve historike, që kishin bërë fuqitë e mëdha ndaj popullit shqiptar”, ka thënë Ahmeti.

“Ne jemi njerëzit e guximit dhe besimit, njerëz që nuk dijnë të kthehn pas. Ne përpiqemi për një jetë më të mirë, për ekonomi më të mirë, ne përpiqemi që të rinjtë tanë, të ardhmen e tyre ta shohin në vendet ku i kanë lindur nënat e tyre”, ka shtuar Ahmeti, duke mos lënë pa përmendur përpara kërçovarëve as integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, pasi që sipas tij, Maqedonia nuk ka rrugë tjetër përveç integrimit në NATO dhe BE.

“Emrin e shtetit do e zgjedhim bashkërisht. Ne nuk jemi të pa interesuar, sepse fatet i vendosim bashkërisht. Ky shtet nuk është vetëm i maqedonasve, ai është edhe i shqiptarëve dhe i të gjitha bashkësive tjera etnike, që jetojnë në Maqedoni”, ka thënë Ahmeti. Ndërkohë, bartësi i listës në njësinë e pestë zgjedhore, Arben Labënishti, në fjalimin e tij ka thënë se ndjehet krenar që është në qytetin e Ali Ahmetit.

“Ali Ahmeti është biri i gjithë kombit shqiptarë, sepse vepra e tij është gjithëkombëtare, vepra e tij i solli dritë gjithë kombit. Populli shqiptar është para një sfide të vërtetë, të cilën ne duhet ka kalojmë. BDI-ja ia ktheu dinjitetin shqiptarëve, andaj ne do të jemi shërbyes të qytetarëve. Madje, ka shtuar ai, duke votuar BDI-në, shqiptarët votojnë perspektivën e tyre, të ardhmen e fëmijëve të tyre.

“Kjo forcë e madhe e ndryshimit, gjatë këtyre viteve dëshmoi se din dhe ka kapacitet të udhëheqies. Prandaj, mbështetuni te BDI-ja , sepse ju ofrojmë një qeverisje në dobi të i interesave të shqiptarëve”, ka thënë Llabënishti.