Tiranë – Këngëtari franko-spanjoll, Manu Chao do të jape një koncert në stadiumin “Qemas Stafa” në Tiranë mbrëmjen e 12 prillit, ku përveç këtij eventi artistik do të zhvillojë dhe një aktivitet në ndihmë të fëmijëve.
Para dhe gjatë koncertit organizatorët do të shesin produktet që kanë emrin apo fytyrën e këngëtarit Manu Chao si, bluza, kapele, varëse, byzylykë etj, dhe të ardhurat nga shitja do të shkojnë për të mbështetur advokimin për të drejtat e fëmijëve nga “ALO 116 – Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijët në Shqipëri”.
Gjithashtu, në krah të skenës së Manu Chao do të jetë e ngritur edhe një stendë, ku çdo pjesmarrës në koncert mund të gjejë produktet e këngëtarit dhe informacione për Shërbimin e “ALO 116” në Shqipëri.
Ky aspekt social i koncertit të Mano Chao është plotësim i një prej kërkesave të këngëtarit, i cili turin e tij ballkanik, nuk e sheh vetëm në aspektin artistik, por edhe për mbështetjen e fëmijëve.
Manu Chao vjen në Tiranë si pjesë e turit ballkanik, që përfshin koncerte në qytete të tjera si, Lubljana, Zagrebi, Sarajeva, Novi Sad, Prishtina, Sofia, Bukureshti dhe Stambolli.
Ai do të interpretojë në skenën e stadiumit “Qemal Stafa”, mes të tjerave edhe disa nga hitet e tij më të njohura botërore si, “Me gustas Tu”, “Mi vida”, “Klandestino”, “Bongo bong, je ne t’aime plus”, etj.
Manu Chao këndon në frëngjisht, spanjisht, galikisht, portugalisht, arabisht, anglisht dhe e veçanta e tij është se shpesh ai në një këngë bën përzjerje gjuhësh. Muzika e tij ka shumë ndikime si, punk, rock, muzika franceze, salsa, reggae, algjeriane, etj. Këto ndikime janë marrë nga emigrantët në Francë, lidhjet Iberike të tij dhe më kryesorja udhëtimet e tij në Amerikën Qëndrore si një nomad pas shpërndarjës së Mano Negra. Shumë nga vargjet Chaos flasin për dashurinë, emigracionin, jetën në geto dhe për drogën.
Friday, 08 April 2011 06:46