Prishtinë- Diplomati slloven, Samuel Zhbogar është emëruar sot nga Komisioni Evropian si Përfaqësues Special të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Lajmin e ka konfirmuar për Radio Kosovën, Juri Las zëdhënësi i zyrës së përfaqësueses së lartë për politikë të Jashtme, Catrin Ashton.
Shefja e diplomacisë evropiane Ketherine Eshton, ka thënë se pret bashkëpunim të ngushtë me Zhbogarin, i cili – sipas saj – ka “njohuri të mëdha për rajonin dhe përvojë të gjatë diplomatike”.
Zhbogar do të fillojë punën me 1 shkurt në Kosovë dhe kontrata e tij fillestare do të jetë deri me 30 qershor të vitit të ardhshëm. Ai do të zëvendësojë në këtë detyrë përfaqësuesin e përkohshëm, Fernando Gentilini.
Në vitin 2008, Samuel Zhbogar është emëruar ministër i jashtëm në qeverinë e Borut Pahorit në Lublanë.
Në periudhën 2004-2008 ishte ambasador në Uashington, ndërsa ka punuar edhe në ambasadën e Sllovenisë në Pekin dhe në misionin e OKB-së në Nju Jork. Kjo është detyra e parë e diplomatit slloven në një vend të ish Jugosllavisë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 25 January 2012 17:30