New York – Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka hequr sanksionet ndaj Bankës Qendrore të Libisë dhe bankave kryesore për investime, për të ndihmuar vendin t’i bëjë ballë krizës financiare.
Lëvizja qartëson edhe më tej rrugën për qeverinë e re, për zhbllokimin e miliarda dollarëve në formë asetesh që mbahen jashtë vendit. Shtetet e Bashkuara dhe Britania bënë të njëjtën gjë menjëherë më pas.
Asetet e huaja të bankave libiane u ngrinë më herët gjatë vitit, në kuadër të sanksioneve kundër ish-liderit libian, kolonelit Moamer Gadafi.
Ditën e premte, Këshilli i Sigurimit vendosi të heqë sanksionet ndaj Bankës Qendrore të Libisë dhe institucioneve të tjera të varura prej saj, si Banka e Jashtme e Libisë.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Uilliam Hejg deklaroi se lëvizja shënon një tjetër moment domethënës në tranzicionin e Libisë.
“Kjo do të thotë se qeveria e Libisë tani do të ketë akses të plotë tek fondet kryesore që duhen për të rindërtuar vendin, për të rivendosur stabilitetin dhe për t’u mundësuar libianëve të bëjnë transaksionet që u duhen për jetën e tyre”, tha zoti Hejg.
Ai shtoi se Londra do të zhbllokojë tani rreth 10 miliardë dollarë që mbahen në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërkohë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lion Paneta do të vizitojë sot Libinë.
Saturday, 17 December 2011 19:00