Lajme Shqip Wednesday, 18 May 2011 14:36

Tiranë – Bien të ardhurat në buxhet. Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Ministria e Financave, totali i të ardhurave për katër muajt e parë të vitit ishte 103.7 miliard lekë, me një rënie prej 0.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010.

Në terma realë, duke llogaritur normën e rritjes ekonomike dhe të inflacionit rënia e të ardhurave është natyrisht më e madhe. Në fakt, të ardhurat tatimore shënuan rritje krahasuar me një vit parë me rreth 4 miliard lekë dhe rënia e totalit të ardhurave erdhi si rezultat i rënies së të ardhurave jo tatimore.

Megjithatë, një nga treguesit më domethënës për ecurinë e ekonomisë, të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar, nuk shfaq një ecuri pozitive. Të ardhurat nga TVSH pësuan një rënie me afro 1.5 miliard lekë krahasuar me një vit më parë, çka në mënyrë të tërthortë tregon një rënie të konsumit në ekonomi.

Shpenzimet, ashtu siç pritej pësuan rritje të ndjeshme dhe arritën vlerën e 119.5 miliard lekëve, me një rritje prej 13% krahasuar me një vit më parë. Edhe njëherë efektet e vitit elektoral u ndien në treguesit fiskalë. Kjo dëshmohet edhe nga fakti që rritja e shpenzimeve u përqëndrua tek ato kapitale, që ishin 24% më të larta krahasuar me një vit më parë.

Kjo tendencë e të ardhurave dhe shpenzimeve solli një rritje të fortë të defiçitit buxhetor, që për katër muajt e parë të vitit preku vlerën e 15.8 miliard lekëve, 13 herë më shumë krahasuar me katërmujorin e parë të vitit 2010. Për të respektuar objektivat e përcaktuara në ligjin për buxhetin, pritet që qeveria të frenojë ndjeshëm shpenzimet në gjysmën e dytë të vitit, sidomos nëse të ardhurat do të vazhdojnë të shfaqin të njëjtin ritëm zhgënjyes.