Shkup – Kastriot Haxhirexha është caktuar ushtrues detyre i kryetarit të Demokracisë së Re (DR). Kjo vjen pas dorëheqjes së kreut të deritanishëm Imer Selmani, me debakllin që pësoi në zgjedhje ku partia e tij doli pa asnjë deputet.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e mbajtur mbrëmë vonë në Këshillin Qendror të kësaj partie, ku u vlerësua rezultati dhe humbja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që çoi në dorëheqjen e kreut të DR-së, Imer Selmani, që u pasua edhe me dorëhqejen e nënkryetarit Abedin Zymberi.
“Këshilli Qendror i DR-së miratoi raportin e Shtabit Qendror Zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe konstatoi se përgjegjësia për rezultatin e arritur në këto zgjedhje është kolektive dhe jo vetëm individuale. U formua komisioni i cili do të bëjë analiza më të thella për arsyet e rezultatit të arritur”, thuhet në komunikatën e DR-së, në të cilën ish-kryetari Imer Selmani i bëri të ditura arsyet e dorëheqjes së tij.
Ndryshe, Këshilli Qendror i DR-së ka diskutuar edhe mbi aktivitetin e mëtutjeshëm politik të partisë dhe është zotuar që të nis përgatitjet për zgjedhje të brendshme partiake dhe organizim të Kongresit të jashtëzakonshëm të partisë deri në fund të vitit.
Thursday, 23 June 2011 10:50