Tiranë – Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) i ka paraqitur sot Këshillit të Ministrave draft -projektin për heqjen e TVSH-së për imputet bujqësore, ku nuk përfshihen importuesit, por vetëm fermerët që blejnë nga shitësit e këtyre imputeve, si plehra kimike, pesticide, farna, plasmas për sera.
Kryetari i KASH-it, Enver Ferizaj, bëri të ditur se mënyra e funksionimit të kësaj skeme do të ketë efekte pozitive për bujqësinë dhe ekonominë fermere. Ferizaj thotë se me anë të këtij projekti nuk favorizohen importuesit dhe efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit do të jetë zero.
Sipas këtij draft-projekti, parashikohet që “faturat blerëse të mos jenë kupona nga shitësi, por faturë TVSH-je, e cila nga fermeri dorëzohet në degën e Tatimeve ku ai është regjistruar në komunë dhe komuna bën kërkesë për rimbursim nga shteti duke ia rikthyer vlerën fermerit blerës”.
-294 biznese importojnë 97.011 ton pesticide për bujqësinë-
Në Shqipëri pothuajse është ndërprerë prodhimi i kimikateve si acidi sulfurik, nitrik, pesticidet, etj., dhe pesticidet për bujqësinë vijnë tërësisht nga importi. Në shkallë vendi veprojnë 294 biznese të licencuara që importojnë një total prej 97.011 ton kimikate në vit, nga 26 shtete të ndryshme të botës.
Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka drejtori dhe specialistë të veçantë që ndjekin me kujdes importet, cilësinë dhe kontrollojnë përdorimin në terren të pesticideve për bujqësinë. Gjatë 3 viteve të fundit importi i pesticideve ka pasur një rritje të ndjeshme. Tregu i pesticideve dhe bazat e reja normative kanë reflektuar pozitivisht në menaxhimin e pesticideve. Çmimi i lartë i tyre i ka limituar ato në përdorim dhe nga ana tjetër importi dhe prodhimi vendas është kufizuar në lloje, sipas direktivave Evropiane dhe eksperiencave në vendet e BE-së.
Burime nga MBUMK bëjnë të ditur se në rastet e identifikimit të pesticideve me efektivitet të lartë është ndaluar importimi i tyre, kjo sipas edhe rekomandimeve e direktivave evropiane. Por megjithatë, sipas ekspertëve të fushës, është e nevojshme dhe e domosdoshme harmonizimi i legjislacionit shqiptar me atë të BE-së përsa i përket standardizimit të përdorimit të pesticideve në prodhimin bujqësor.
Kudo në botë përdorimi i pesticideve ka qenë dhe mbetet i domosdoshëm për të siguruar rendimente të larta dhe prodhime të qëndrueshme. Por përdorimi i tyre kërkon menaxhim për të plotësuar parametrat e mësipërm dhe sfidat e kohës, për të qenë sa më pak të dëmshëm për njerëzit, për ndotjen e mjedisit dhe për vetë kulturat bujqësore.
Friday, 16 December 2011 20:00