Lajme Shqip Tuesday, 20 March 2012 09:48

Se si çifti e ngjiti aq shpejtë rrugën e altarit, po kthehet në një mister teksa të dy palët tashmë vazhdojnë me betejën e divorcit.

Martesa e tyre ekstravagante dhe perfekte, që u pushtua nga të ftuar VIP-a dhe kameramanë të shumtë, duket sikur i përket një kohe mjaft të largët, por që në fakt ka ndodhur vetëm gushtin e kaluar, tre muaj përpara se Kim të paraqiste kërkesën për divorc.
Proçesi ligjor i ndarjes së tyre po zgjat më shumë se sa vetë martesa e tyre dhe ndërsa ata i kanë kapërcyer disa mosmarrëveshje, duket se çështja ka ngecur në zgjidhjen e fajtorit për mashtrim në martesë.

Sipas burimeve të tabloidit TMZ, 27-vjeçari, lojtar i NBA, po akuzon ish gruan e tij se u martua me të vetëm për publicitet dhe se asnjëherë nuk kishte ndërmend t’i zotohej betimit ‘deri në vdekje’. Por 31-vjeçarja Kim, e ka kundërshtuar duke insistuar se ajo u martua për dashuri dhe jo për publicitet.

Burime të këtij tabloidi thonë se Kim kërkon që Kris të pranojë se në fillim kishte pranuar që të jetonte në Hollivud, por që mbas martese e kundërshtoi duke i kërkuar Kimit që ta ndiqte atë në Minesota. Duke e bërë atë të pranojë fajin për thyerjen e marrëveshjes paramartesore, ajo i ka ofruar atij edhe 7 milion dollarë në këmbim.

Por Kris Humphries, i cili është lidhur me një zyrë ligjore në Los Angelos, nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me martesën e tij dhe ka preferuar të ruajë qetësinë deri sa çështja të përfundojë në gjykatë. Nëpërmjet avokatëve të tij, Kris ka lëshuar një komunikatë për median duke thënë se pavarësisht të gjithë tentativave të familjes Kardashian dhe gënjeshtrave të tyre, ai nuk do të mbytet në llumin e tyre, por se do të ngrijë kokë atëherë kur të jetë momenti i duhur.

Me sa duket, ajo që nisi si një përrallë është shndërruar në një betejë të vërtetë. Se sa gjatë do të zgjasë, vetëm koha do ta tregojë. (LajmeShqip.com)