Lajme Shqip Saturday, 24 December 2011 17:00

Kapshticë – Fluksi i madh i emigrantëve që kthehen në atdhe për festën e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri ka krijuar radhë të gjata në doganën e Kapshticës.

Rreth orës 14.00 të ditës së shtunë, siç kanë bërë të ditur vetë emigrantët, rreth 1000 mjete të vogla prisnin të rreshtuara në tri korsi në hyrjen e doganës greke drejt doganës shqiptare. Njëkohësisht në radhë ishin edhe dhjetra automjete të ngarkuara me mallra për festat e fundvitit si dhe autobusët e linjave me Greqinë.  Kjo radhë vazhdonte edhe në tokën neutrale dhe në hyrje të doganës shqiptare.

Ndërkohë, drejtues të policisë në këtë pikë doganore paralajmëruan rritje të mëtejshme të fluksit në orët e pasditës dhe gjatë natës, duke u gdhirë Krishlindjet.

Gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në tokën shqiptare nëpërmjet doganës së Kapshticës 7600  vetë dhe 3100 automjete të vogla. Po kështu kanë qarkulluar në të dyja anët e kufirit afro 50 autobusa dhe dhjetra maune e kontenjerë mallrash.

Bëhet e ditur se dogana greke punon me 3 dhe 4 sportele, ndërsa në doganën shqiptare punojnë 8-9  sportele. Po radha krijohet mbasi fluksi i emigrantëve sa vjen edhe po rritet.