Tiranë – Zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Tomas Kantrimen, i bëri apel klasës politike shqiptare që të angazhohet për zgjedhje të ndershme, të qeta dhe në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë.
“I kam ftuar politikanët shqiptarë, që në koordinim të plotë me BE-në, të mbajnë zgjedhje të ndershme lokale. Kjo është një kërkesë e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së Shqipërisë”, thotë Kantrimen në një intervistë për Radion Evropa e Lirë”.
“Kemi insistuar që të gjitha palët ta respektojnë Kushtetutën, të mbajnë zgjedhje të ndershme dhe paqësore dhe i kemi bërë thirrje popullit të Shqipërisë ta kërkojë një gjë të tillë nga përfaqësuesit e tyre”, shprehet zyrtari amerikan.
Zgjedhjet në Shqipëri, vijon ai, “sikurse dhe në çdo vend tjetër, nuk u takojnë një apo dy partive politike, ato u takojnë njerëzve. Presim nga të dyja palët të zhvillojnë fushatë jo të dhunshme, të mbajnë zgjedhje të qeta më 8 maj dhe të zgjidhin çdo mosmarrëveshje mbi zgjedhjet, nëpërmjet procesit të njohur kushtetues. Nëse e arrijmë këtë, atëherë është periudha e paszgjedhjeve lokale në maj, në të cilën mund të zhvillohet një dialog më i qytetëruar politik, jo vetëm midis dy partive kryesore, por dhe një dialog që përfshin gjithë shoqërinë shqiptare”, shprehet zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit në intervistën e tij.
Më tej, Kantrimen thekson se përgjithësisht është i kënaqur me përgjigjet e partive kryesore në thirrjet që u ka bërë komuniteti ndërkombëtar.
Saturday, 23 April 2011 11:09