Lajme Shqip Saturday, 12 May 2012 17:00

Tiranë – “Kandidimi im i bërë në mënyrë të qartë është ai për kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), ndërsa për kandidimin e mundshëm për postin e presidentit kemi 30 vjet para për ta çmuar se kur do të ishte momenti i përshtatshëm”.

Kështu iu përgjigj të shtunën kryetari i LSI-së, Ilir Meta, pyetjes së gazetarëve lidhur me deklaratën e djeshme të sekretarit të përgjithshëm të LSI-së, Luan Rama se ai (Meta) mund të jetë kandidat për Kreun e ri të shtetit. “Mirëkuptoj propozimin e Luan Ramës dje, por gjej rastin ta ftoj publikisht që të kandidonte për kryetar të LSI-së meqë ka  shprehur dhe disa diferenca për sa i takon drejtimit të kësaj force politike”, u shpreh Meta.

Lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit kryetari i LSI-së tha se këndvështrimi partiak është i rëndësishëm për të gjithë aktorët, pasi nuk mund të injorohen interesat e pjesshme, por për ato veçori ku ndodhet vendi në këtë moment është më i domosdoshëm të prevalojë interesi kombëtar.

Meta theksoi se në kushtet ku ndodhet vendi është më emergjent bashkimi i votave për t’i dhënë fund reformës zgjedhore, reformës parlamentare dhe zgjidhjes së çështjes së imunitetit, tre probleme kryesore të theksuara sipas tij dhe nga Komisioneri për Zgjerimin, Fyle dhe që janë angazhime të marra nga politika shqiptare.

Deklaratat e kryetarit të LSI-së u bënë pas një takimi me zv.presidentin e Komisionit të Jashtëm të Senatit Italian, Alberto Filippi, i cili ndodhet për një vizitë në Shqipëri, me ftesë të kryetarit të Bashkisë Lezhë, Viktor Tusha. (LajmeShqip.com)