Kakavijë – Shumë rrallë ndodh që vendkalimi kufitar i Kakavijës të lërë dy herë gjurmë të pashlyeshme në historinë e saj.
Në vitin 1986, ish-ministri i Jashtëm, sot Presidenti grek, Karolios Papulias, i shoqëruar nga ish-homologu i tij shqiptar, Reis Malile, shkelën Kakavijën, duke hedhur hapin e parë të marrëdhënieve dypalëshe. Ndërsa më 15 dhjetor të vitit 2010, një shkodran udhëton pa vizë në Greqi, vetëm me një pasaportë biometrike.
Andon Lula, ish- gazetar i ATSH-së, kujton se 20 vite më parë, Kakavija ka qenë një “mollë e ndaluar” për gjithë shqiptarët.
“Nuk guxoje të hidhje sytë përtej kufirit. Isha i vëzhguar në çdo sekondë. Sigurimi i Shtetit nuk të falte”, shprehet Lula.
Sipas tij, gjatë sistemit komunist, Kakavija e rrethuar me tela me gjemba, ka funksionuar vetëm për transportimin e mallrave, ndërsa njerëzit numëroheshin me gishta.
“Për të shkuar drejt Kakavijës më parë duhej të siguroje një leje nga Ministria e Brendshme ose komisariati, në rast shkelje të priste burgu”, thotë Lula.
Lula tregon se Kakavija filloi të marrë formë të plotë, kur shkeli për herë të parë ish-ministri i Jashtëm grek, Karolios Papulias.
“Qysh atë vit, Kakavija ndryshoi si nata me ditën. Papulias ishte i mbarë”, pohon Lula, duke shtuar se gjatë sistemit komunist, çdo 21 shkurt, Kakavija “hapte portat” për vizitorët, sidomos për fëmijë, që uronin ushtarët për Ditën e Kufirit.
Dikur, vijon Lula, Kakavija quhej “Dritë”, por regjimi komunist, siç e vendosi, ashtu dhe e hoqi.
“Ende nuk dihen arsyet pse komunistët hoqën dorë nga ky emër”, thotë me habi Lula.
Ai thekson se “nga Kakavija ka pasur tentativa për t’u larguar, por shumë pak fatlumë kanë pasur mundësi të prekin Perëndimin”.
“Më kujtohet si tani. Dy persona tentuan të arratiseshin drejt Greqisë, por në rrugë e sipër ngatërruan udhën dhe përfunduan në burg”, rrëfen Lula.
Sot, për Lulën, gjërat kanë ndryshuar, ashtu si ka ndryshuar edhe vetë sistemi.
Gentian Mullai, zëdhënësi i drejtorisë së policisë së qarkut të Gjirokastrës, vlerëson se “Kakavija tashmë është pika më e rëndësishme tokësore e kalimit kufitar në jug të vendit”.
“Çdo vit qarkullojnë në të dyja anët e kufirit afro 1 milion persona, shifër tepër e lartë po ta krahasojmë me vitin 1990”, shprehet Mullai.
Mullai mendon se Kakavija është porta kufitare më e madhe e shqiptarëve, pasi, siç thotë ai, njerëzit nuk ikin më nga vija e gjelbër, por lëvizin si qytetarë europianë.
“Sivjet numri i trafikimit të qënieve njerëzore ka shkuar në zero, nga 18 të regjistruar një vit më parë”, thotë Mullai.
Sipas tij, sot shqiptarët udhëtojnë përtej kufirit vetëm me një pasaportë biometrike, ndryshe nga regjimi komunist, ku posta kufitare ishte ekskluzivitet i trupit diplomatik apo i personave të autorizuar.
Friday, 23 December 2011 16:30