Lajme Shqip Thursday, 01 October 2015 12:05

 

(E plotësuar) Partitë opozitare kanë arritur të paktën përkohësisht qëllimin e tyre për bllokim të Kuvendit deri në tërheqjen e nënshkrimeve nga marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka vendosur që të ndërpritet seanca e sotme, e as nesër Kuvendi të mos zhvillojë punime, pasi opozita nuk po i lejon ato, duke pamundësuar vazhdimin normal të seancës.

Me të filluar seanca e sotme, deputetët opozitarë kanë rrethuar tavolinën e kryesisë së Kuvendit dhe foltoren për të bllokuar vazhdimin e saj.

Fillimisht kryetari Veseli vendosi që të shkohet me një pauzë prej 30 minuta, me pretendimin se opozita do të ndryshonte qëndrim.

Por, edhe pas përfundimit të pauzës, opozita vazhdoi të bllokojë punën e Kuvendit, duke detyruar kryetarin Veseli që të marrë vendim për bllokim të seancës. 

 

Kadri Veseli: S’do të lejojmë pafundësisht bllokimin e Kuvendit 

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, sot vendosi që të dorëzohet para deputetëve opozitar dhe të ndërpresë punimet e Kuvendit dhe mos të thërras seancë as për ditën e nesërme, por ka paralajmëruar se kjo nuk do të tolerohet pafundësisht.

Ai ka thënë se bllokimi i Kuvendit nuk do të lejohet pafundësisht.

Opozita po bllokon punën e Kuvendit, duke mos lejuar zhvillimin e seancave, duke thënë se kështu do të veprojë deri atëherë kur kryeministri Isa Mustafa të ketë tërhequr nënshkrimet nga marrëveshjet e fundit të arritura me Serbinë në Bruksel.