Lajme Shqip Monday, 09 December 2013 18:14

Prill 1970. Në Shqipërinë e diktaturës kujtohet me madhështi 100-vjetori i Lindjes së Vladimir Iliç Leninit. Revista “Nëndori” (siç quhej deri në vitin 1972, kur pas Kongresit të Drejtshkrimit u korrigjua në “Nëntori”) një prej organeve më prestigjoze të kohës ia kushton numrin e muajit prill të gjithin këtij përvjetori. Kjo praktikë nuk përbën ndonjë çudi sot 43 vite më vonë, ndërsa shfletojmë shtypin e kohës. Por tek kujtojme debate e polemika të shumta në median e sotme mbi marrëdhënien e shkrimtarëve dhe artistëve me regjimin, censurën, autocensurën e mekanizma të tjerë të regjimit dhe dëmet që i kanë sjellë letërsisë dhe arteve, ia vlen ti sjellim ndër mend, sigurisht pa dashur të fyejmë askënd e njëkohësisht pa dashur ti gjykojmë. Faktet dhe ngjarjet në histori duhen analizuar në kontekstin dhe rrethanat e kohës. E në atë kohë nuk tingëllonin si sot. Nga koleksioni i “Nëntorit” kemi shkëputur jo më kot këtë numër që i është dedikuar Leninit dhe kemi shkëputur nga gjithë materialet e tij dy poezitë që po sjellim më poshtë. Autorët e tyre, Ismail Kadare dhe Xhevahir Spahiu, janë dy emra me kontribut të veçantë në letrat shqipe, të shumëdiskutuar si në kohën e regjimit ashtu edhe pas viteve ’90-të, ndërsa mbijetesa e tyre dhe e disa emrave të tjerë të artit e letërsisë, në kushtet e atij regjimi do të mbetet gjithnjë një fushë grishëse për studiuesit.

 

Nga Ismail Kadare

 

Lenini

 

… Ndodhte që i lexoja vargje, ndërsa ai vështronte i mejtuar në dritare, në çastet e perëndimit të diellit…

Krupskaja

1

Për të un’ rashë shumë në mendime,

Edhe shumë herë jam matur për të shkruar,

Porse në vargjet e fletores sime

I rrallë është emri i tij, si gur i çmuar.

Në vargje ai duhet të jetë

Përmes furtunës revolucionare,

Mes ngricave të vjeshtës së tretë,

Mes flamujve që skuqin porsi zjarre.

Prandaj lirikat shpesh kam grisur unë,

Sepse më dukej s’mbanin er’ furtunë,

Por erë fushash, bari të kositur

Ku hënëza vështron në rrugën e dremitur

2

Po nuk ka gjë: Iliçi le të jetë

Në mes pejzazheve që dua shumë.

Mes rrugëve, mes fushave të qeta,

Ku zhurmëron një lis, ku rrjedh një lumë.

Sepse Ai në eci nëpër shqota

Në rrugë plot me erëra tetori,

I deshte bukuritë e kësaj bote

Dhe drurëtedhe gjethet tej oborrit,

Dhe zjarrin që në fushë tutje fiket.

E desh Ai si shpirti i lirikut.

Deshi Ai dhe velën mbi liqenë.

Dhe fushën që po flë ku muzgjet vinë e venë.

3

Atij mëngjezi i bukur i kujtonte

Të ardhmen mbi Rusinë e paanë.

Dhe perëndim i skuqur i kujtonte

Ata që për tetorin vanë e ranë.

Dhe diellin që po ulej kur sodiste,

me libër nëpër duar tek dritoret,

Ai e dinte: perëndim s’do kishte

Mbi botën dielli i zjarrtë i Tetorit

Oh, unë e shoh kur përsëri i qetë

Me sytë e ndritur ngulur përmbi fletë,

Ndërsa thellimi fryn jashtë në drurë:

“Fitoret kurrë ne nuk do ti lëmë, Kurrë”*)

1957

 

*Kështu thoshte shpesh Lenini, siç rrëfen Krupskaja, duke ndryshuar vargjet e poetit komunar Euzhen Potje: “Jo kurrë s’do ta lëmë ne Komunën”

Xhevahir Spahiu

 

Baladë shqiptare për Leninin

 

Ai hyri në pallatin ku ish parlamenti

Në brez: revolveri ende i nxehtë nga vrasja e Esat Pashës në Paris:

Hyri dhe tha shkurt e saktë si pesë të shtëna revolveri:

Zotërinj,

Pesë minuta heshtje,

Lenini vdiq.

Të gjithë më këmbë

Më këmbë të gjithë!

Shtangën drurët. Zogjëve kënga në buzë u mbeti,

Me një kuje të tmerrshme qau e klithi era

Globit për një çast i humbi graviteti

dielli humbi shokun, shkau e ra në humnera

U ranë varetë nga duart kovaçëve

Parmendën në mes të brazdës fshatarët se ç’e lanë

O ç’heshtje e rëndë

Një heshtje e tillë

S’ish ndjerë ndonjëherë,

S’ish parë në asnjë dramë.

Pesë minuta heshtje,

Lenini vdiq…

Të gjithë më këmbë,

Më këmbë të gjithë.

Pallati u lëkund

Këmbë-trokitje në sallë

“Baballarët e kombit” njëri tjetrin panë në sy;

“Ai nga Rusia,

Ky nga Libohova,

Ç’djall i nxori në një breg të dy?!

Ç’u kujtove vdekjen Avni “Baballarëve”

Ata për zgjerimin e gjerdheve të tyre ëndërronin

-Vdekjes suaj t’i ngriheni

Të gjithë më këmbë,

Fjalët e tua gjëmonin.

Kjo s’kish ngjarë asnjëherë

Asgjëkundi s’kish ngjarë

Zotërinjtë më këmbë Leninit?!

Zotërinjtë s’janë komunarë.

Tokën deshën të na ndanin në ngastra

Po mbi traktatet u lëshua Lenini i tmerrshëm

Lenini ish i madh sa kreshnikët e elegjive tona të lashta

Ai s’kish lindur në Simbirsk, po në pesë kontinentet njëherësh.

Vallë si e gjeti udhën mes këtyre shkëmbenjëve

Lenini- zemër e gjithëkujt?

Tokën Lenini ua dha fukarenjve

Tokën e tundi…

Lenini si askush u qau hallet të mjerëve

Hallet që s’ua qanë dot as malet me dëborë

Lenini sec kish dicka të përafërt me malet

Lenini vuante nga tragjedia jonë.

Pa ç’ka se të mjerët as emrin Leninit nuk dinin t’ja shkruanin

Leninin e kuptonin; Ai si ata s’kishte bukë

Lenini kish thënë:

Sarajet do të shëmben,

Po të ngrihen kasollet në luftë.

Pesë minuta heshtje,

Lenini vdiq!

Të gjithë më këmbë

Më këmbë të gjithë!

Shtangën drurët. Zogjve në buzë kënga u mbeti

Me një kuje të tmerrshme qau e klithi era

Globit për një çast i humbi graviteti

Dielli humbi shokun, shkau e ra në humnera.

Diçka drodhi malet që as qepallat s’kishin luajtur në shekuj

Malet gjokszbuluar që prisnin stuhinë

Populli “Ngreu!” i tha parlamentit

Populli ngriu mbi parlament djalin e tij, Avninë.

Tek të gjithë do të zgjohej brez pas brezi Lenini

Po dhimbja ish e madhe

Populli betohej se do ta ruante

Si malet.

Dihet kë ruajnë malet.

Pesë fjalët e Avni Rustemit. Pesë të shtëna:

Vdiq Lenini,

Pesë minuta heshtje.

Mikro-Feudo Borgjezët u ngritën për Leninin më këmbë;

Po vdiste parlamenti.

/Shqiptarja/