Shkup, Prishtinë – Kabineti i presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka sqaruar vizitën e saj të premten në Tetovë dhe Shkup.
Përgjigja vjen pasi ajo ishte parë në Tetovë, në një nga lokalet e këtij qyteti, i shoqëruar nga tre zyrtarë të lartë të BDI-së, ku ky takim ka nxitur edhe reagimet e opozitës. Departamenti për informim i presidencës ka sqaruar se presidentja Jahjaga, më 20 maj 2011, në orët e pasdites, ka bërë një vizitë private në Maqedoni, me ç’rast qëndroi në një lokal në Tetovë, si dhe bëri një shëtitje në këtë qytet.
“Presidentja e Kosovës, gjithashtu, vizitoi qytetin e Shkupit, ku gjithashtu shëtiti në qytet, si dhe u ndal për kafe në një lokal në sheshin kryesor të Shkupit. Rrugës ka pasur raste që qytetarët janë ndalur, janë përshëndetur dhe kanë kërkuar të bëjnë fotografi me Presidenten, ose me stafin e saj. Gjithashtu, gjatë qëndrimit në Tetovë dhe në Shkup, janë afruar qytetarë që ta përshëndesin dhe në tavolinë janë ulur të afërm dhe miq të Presidentes ose të stafit të saj”, theksohet në njoftimin zyrtar.
Departamenti për Informim ka shpjeguar se vizita ka qenë vetëm private dhe presidentja nuk ka pasur asnjë takim zyrtar, asnjë bisedë dhe asnjë deklaratë, siç kanë raportuar disa media.
“Sipas protokollit, daljet publike të presidentes së vendit, edhe në kapacitetin e saj privat, shoqërohen me rregullat e sigurisë dhe të protokollit, thuhet në sqarimin e Presidencës. Autoritetet e Maqedonisë janë informuar me kohë për llojin e vizitës dhe për gjithë itinerarin e saj, me të gjitha vizitat dhe daljet në publik, si dhe me orën e saktë të secilës lëvizje. Gjithçka është kryer sipas planit, duke mos pasur asnjë shmangie”, thuhet në njoftimin e presidencës. Presidentja e Kosovës, me një shkresë, i ka falënderuar autoritetet e Maqedonisë për ndihmën në organizimin e kësaj vizite dhe për masat e ndërmarra, që vizita të realizohet plotësisht sipas kërkesës së parashtruar, duke potencuar marrëdhëniet e mira fqinjësore ndërmjet dy vendeve dhe popujve, si dhe vizitave krejt normale të qytetarëve dhe të udhëheqësve ndërmjet veti.
Sunday, 22 May 2011 21:15