Prishtinë – Ka ndërruar jetë Sedat Dida, njëri nga emrat më të respektuar të gazetarisë në Kosovë. I lindur në Prizren më 15 qershor të vitit 1926, menjëherë pas Luftës Antifashiste punoi si mësues e inspektor shkollash dhe pastaj edhe nënkryetar i rrethit të Suharekës, prej nga më 1948 emërohet drejtor i gazetës “Rilindja”, në Prishtinë, e cila kishte filluar të dilte vetëm tri vjet më parë, në qytetin e tij të lindjes. Ishte gazeta e parë shqipe dhe asokohe kishte pak shqiptarë që dinin ta ushtronin këtë profesion atëherë e tash të rëndë. Ai, siç e kujtojnë ata që punuan me të asokohe, do të jetë jo vetëm drejtues por edhe mësuesi i parë i gazetarisë në Kosovë. Përkushtimi i tij ndaj këtij profesioni dhe interesit kombëtar do t’i hakmerret shpejt, sepse më 1956 arrestohet dhe dënohet, në Procesin famëkeq të Prizrenit, me pesë vjet burgim. Rrëfimet e tij për vitet e burgut ishin rrëqethëse dhe flasin për brutalitetin dhe për shovinizmin serb kundruall shqiptarëve. Sedati dhe grupi që u sajua, për të kriminalizuar intelektualin shqiptar, u trajtuan spiunë të Shqipërisë, që ishte më shumë se krim. Sedati, pavarësisht nga torturat, nuk u thye dhe mbijetoi burgun, por asnjëherë nuk iu kthye pozitave drejtuese në gazetari. Pas vuajtjes së dënimit, sërish u mor me gazetari po në “Rilindje”, në rubrikat që nuk përbënin rrezik që të “transmetojë nacionalizmin”. Punoi deri më 1980, kur u pensionua.
Brezat e gazetarëve të “Rilindjes”, që s’ekziston më, e kujtojnë si njeriun i cili me shembullin e vet ua mësoi jo vetëm profesionin, por edhe moralin.
Ishte një erudit i rrallë, i cili po njohurive nga fusha më të ndryshme, e fliste dhe e shkruante anglishten, serbokroatishten e turqishten dhe ishte fanatik i pastërtisë dhe i gjuhës standarde shqipe. E pëlqente muzikën dhe ishte virtuoz në mandolinë.
La dy djem dhe një familje të shëndoshë e të arsimuar. Varrimi i tij bëhet sot, në Prishtinë, në orën 14. (Koha)
Tuesday, 17 January 2012 13:24