Lajme Shqip Tuesday, 29 May 2012 08:00

Idhulli i shumë adoleshentëve, Justin Bieber, duhet të paraqitet për t’u marrë në pyetje në një rajon policie në Los Anxhelos, pasi një fotograf e akuzoi për agresion fizik pas daljes nga një qendër tregtare.

Përballja duket se ndodhi kur “paparaci” u përpoq të fotografonte 18 vjeçarin, përkrah të dashurës së tij, Selena Gomez, në daljen e kompleksit.

Sipas të dhënave, Bieber u kacafyt me fotografin dhe e goditi me këpucë. Si rrjedhojë, fotografi, identiteti i të cilit nuk është bërë i njohur, pësoi disa dëmtime të lehta dhe u trajtua shkurtimisht në spital, përpara se të lejohej të largohej.

Një sherif i zonës bëri me dije se policia ka kontaktuar me Bieber dhe i ka kërkuar që të paraqitet në polici, pasi ai ishte larguar nga vendngjarja pas mbërritjes së patrullës.

Dëshmia e 18 vjeçarit duhet për t’ia bashkëngjitur padisë së fotografit për rrahje. Justin dihet që është trajnuar për goditje nga gjigandi i boksit Mike Tyson. Aftësia e tij goditëse  i bën më të besueshme akuzat e ngritura nga fotografi.

Është e paqartë nëse ky i fundit do të vendosë ta çojë deri në fund çështjen, duke e dërguar dosjen në gjykatë, së bashku me një kërkesë dëmshpërblimi nga adoleshenti.

Kjo është hera e parë që Justin humbet gjakftohtësinë e tij në publik.

Imazhet e kapura nga një fotograf i dytë treguan se e dashura e tij Selena Gomez u ndie e pashqetësuar, duke ndihmuar të dashurin e saj që të rikuperonte kapelen që i ra gjatë sulmit, përpara se të largohej nga vendngjarja përkrah tij.