Lajme Shqip Saturday, 28 September 2013 10:46

Plani i fshehtë i Sali Berishës për ta kthyer Shqipërinë në republikë të gjashtë të Jugosllavisë së re, ka provokuar intelektualët dhe figurat e politikës shqiptare. Firmosja e traktatit të fshehtë në 16 korrik, në Përzhno të Malit të Mal të Zi, pra pak ditë para zgjedhjeve të 23 Qershorit, për të kaluar Shqipërinë nën ombrellën e Serbisë, ka trazuar dhe indinjuar opinion publik. Ish shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, në një prononcim për gazetën “Sot”, deklaroi se Unioni Ballkanik në Bashkimin Europian është artificial dhe sforcuar. Ai tha se Unioni Ballkanik është një sajesë që mund të pengojë integrimin e Shqipërisë.

 

“Krijimi i Unionit Ballkanik është shumë artificial. Mendoj se është e parakohshme. Nuk ka shembull që në Bashkimin Europian të marrin pjesë unione. Kjo është një sajim serb, i cili mund të pengojë integrimin e Shqipërisë. Qeveria “Berisha” nuk duhet ta mbështeste”, u shpreh Klosi. Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, shprehet se Shqipëria duhet të injorojë Unionin Ballkanik dhe hyjë e vetme në Bashkimin Europian. Shehi deklaron se Shqipëria është shtet i pavarur dhe kurrsesi nuk duhet t’ia lejojë vetes të përfshihet në unione të tilla. “Shqipëria duhet të shkojë e vetme në BE. Shqipëria është shtet i pavarur. Shqipëria do të hyjë e para në BE dhe më pas të tërheqë me vete edhe të tjera komunitete”, u shpreh Shehi.

 

Shqipëria, drejt politikave globale

 

Shtohen zërat kundër krijimit të Unionit Ballkanik dhe sidomos përfshirjes së Shqipërisë në këtë bashkim. Ish deputeti socialist, Agim Leka, në profesion studiues, në një prononcim për gazetën “Sot”, thekson se Shqipëria duhet të ndjekë politikën e integrimit në familjen e saj evropiane. Sipas tij, grupimet rajonale asnjëherë nuk kanë sjellë gjëra pozitive, ndërsa në rastin e Shqipërisë do të pengonte proceset globale.  “Jam partizan i politikave globaliste dhe integruese. Shqipëria duhet të vazhdojë rrugën që ka nisur drejt Bashkimit Europian dhe të marrë kartën e asocimit. Jam kundër grupimeve rajonale. Filozofitë provinciale sjellin pasoja dhe në proceset globale.

 

Koncepti i BE ka të bëjë me qytetërimin evropian”, u shpreh ish deputeti socialist. Studiuesi Leka thekson se Shqipëria i përket familjes evropiane, por për shkak të vonesave që lidhen me historinë, është vonuar në aderimin e saj në Bashkimin Europian. Megjithatë, Shqipëria do të vijojë rrugën e saj që ka nisur drejt integrimit si më të duhurën, pasi një gjë të tillë e kuptojnë edhe vetë politikanët tanë. “Ne kemi ndërprerë përfshirjen në qytetërimin Europian për shkak të sistemit diktatorial. Shqipëria në BE do të kthehet në identitet. Ky qytetërim u ndërpre për shkak të historisë fatale, këto 100 vitet e fundit. Vonesat janë historike dhe jo për faj të shqiptarëve”, u shpreh Leka. Pjesë e Federatës do të jenë Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kosova dhe Serbia. Kjo e fundit, pritet të jetë koka e federatës së re, siç ishte edhe e federatës së vjetër, e cila u shkatërrua nga luftëra të përgjakshme.