Lajme Shqip Monday, 23 January 2012 14:16

Tiranë-Pas nënshkrimit të marrëveshjes për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit, presidenti kroat Ivo Josipoviç dhe kryetari i shtetit shqiptar dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku theksuan nivelin e mirë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ndërsa garantoi se Kroacia do të mbështesë vendet e rajonit në rrugën e integrimit euroatlantik, presidenti Josipoviç theksoi se marrja e statusit kandidat në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë do të ishte një dhuratë e madhe për vendin.

 

 

 

Nga ana e tij, presidenti Topi nënvizoi se Shqipëria po bën shumë për të merituar statusin e vendit kandidat, duke theksuar se kohët e fundit po vihet re një stabilitet politik dhe frymë bashkëpunimi mes palëve.

“Kohët e fundit po vihet re një stabilitet politik, ka një rikthim tek bashkëpunimi parlamentar, gjithsesi është raporti i studentëve me profesorin, ndonjëherë studenti kërkon më shumë se ç’meriton nga profesori, e vërteta është se ne po bëjmë shumë, që në këtë vit jubilar të marrim statusin për vend kandidat në BE”- deklaroi presidenti Topi.

Topi dhe Josipoviç ndanë mendimin e përbashkët se Kroacia do të jetë një zë më shumë për anëtarësimin e Ballkanit në Bashkimin Europian.

Më tej, presidenti Topi tha se biseda me homologun kroat u fokusua kryesisht në intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat.

Sipas presidentit kroat marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve kanë mundësi të intensifikohen akoma dhe më tej.

Në lidhje me politikën rajonale të dy vendeve, presidentët theksuan se roli i Kroacisë dhe Shqipërisë është konstruktiv dhe paqësor.

“Do të bëjmë çmos që situata në rajon të jetë e qetë, të kemi paqe dhe të lidhim shtetet rajonale mes tyre. Mendojmë se problemet që kemi në shtetet e rajonit duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore, me negociata. Nëse kemi mundësi të ndihmojmë palët duhet ta bëjmë atë.” – deklaroi presidenti kroat.

Ndërkohë, presidenti Josipoviç theksoi nevojën e ruajtjes së pasurive të përbashkëta, siç është deti Adriatik, duke ju referuar ndotjes së viteve të fundit, që siç transmetuan mediat kroate pak kohë më parë vinte nga Shqipëria.