Lajme Shqip Tuesday, 15 May 2012 10:00

Të famshmit dinë mirë si të përfitojnë të holla edhe kur bëhet fjalë për jetën e tyre private. Edhe këngëtarja Jessica Simpson ka ndjekur rrugën e shumë personazheve të tjerë të famshëm, duke përfituar nga lindja e fëmijës së saj Maxwell Drew Johnson.

Ajo ka zgjedhur të shesë fotografitë e para të foshnjës së saj. Mësohet se revista “People” mund t’i ketë blerë ato për 800 mijë dollarë. Por përfitimet e saj nuk përfundojnë këtu!

Një telash që i përndjek femrat mbas lindjes është humbja e peshës. Menjëherë pasi sjellin në jetë fëmijët e tyre ato nxitojnë të gjejnë mënyrat më efikase për t’u rikthyer në formën perfekte, si dikur përpara shtatzënisë.

Këtë gjë është duke e kërkuar edhe Jessica e cila ka fituar shumë kilogramë gjatë shtatzënisë. Këngëtaren Simpson po e pret nënshkrimi i një kontrate me vlerë prej 3 milionë dollarësh me kompaninë “Weight Watchers”, për të promovuar mënyrën e tyre të humbjes së kilogramëve të shtuar gjatë shtatzënisë. Pra, me një llogari fare të thjeshtë, në pak javë që prej kohës kur solli në jetë fëmijën e saj, përfitimet e Simpson-it deri tani janë shtuar me 4 milionë dollarë.

Por ka edhe personazhe të tjerë që kanë përfituar edhe më tepër nga shitja e fotografive. Duket se këtë rekord e mban këngëtarja Jennifer Lopez, e cila në vitin 2008 pranoi ofertën 6 milionë dollarëshe dhe shiti imazhet e binjakëve të saj. Ndërsa krejt ndryshe ka zgjedhur të veprojë Beyonce, e cila fotografitë e vajzës së saj Blue Ivy zgjodhi t’i postojë në profilet e saj në rrjetet sociale duke ju drejtuar fansave të saj në mënyrë direkte se kjo ishte dhurata e saj për ta dhe mbështetjen e tyre, çka do të thotë se edhe mediave nuk ju është dashur të paguajnë asnjë kacidhe për të blerë imazhet e fëmijës së parë të çiftit Beyonce-Jay Z. (LajmeShqip.com)