Lajme Shqip Tuesday, 10 January 2012 15:30

Tiranë- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot Ambasadorin danez në vendin tonë, Karsten Ankjaer Jensen, me rastin e marrjes së Presidencës së radhës të Bashkimit Evropian nga ana e Mbretërisë së Danimarkës.

Gjatë këtij takimi me Ambasadorin danez, Kryetari i Shtetit theksoi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është objektivi kryesor i politikës së jashtme shqiptare, që reflekton dhe synon të përmbushë aspiratën e gjerë të qytetarëve shqiptarë për të qenë pjesë edhe zyrtarisht e familjes evropiane.

Presidenti i Republikës nënvizoi se për realizimin e kësaj aspirate duhet angazhimi maksimal i shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij dhe një bashkëpunim intensiv me Presidencën daneze dhe delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë.

“Objektivi ynë është përshpejtimi i procesit të integrimit të plotë të Shqipërisë dhe ne shpresojmë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian brenda këtij viti, pasi të kemi plotësuar kriteret e duhura, ku më kryesori është dialogu dhe bashkëpunimi politik institucional”, theksoi Presidenti Topi.

Në këtë kontekst, Kryetari i Shtetit vlerësoi rolin dhe kontributin e Ambasadorit Jensen dhe shprehu bindjen në mbështetjen e plotë të Presidencës daneze për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës, Karsten Ankjaer Jensen, e informoi dhe i paraqiti Presidentit Topi përparësitë e programit të presidencës daneze të radhës së Bashkimit Evropian, ku një vend të veçantë do të zerë vazhdimësia e procesit të zgjerimit, si dhe mbështetja dhe ndihmesa ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në gjirin e familjes evropiane.

Në këtë takim, Ambasadori Jensen theksoi se “Mbretëria e Danimarkës do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke uruar që Shqipëria të arrijë ta marrë e ta meritojë statusin e vendit kandidat dhe do të ishte një gjë shumë e mirë sikur kjo të ndodhte në këtë vit të njëqindtë të pavarësisë së saj”. (LajmeShqip.com)