Lajme Shqip Sunday, 01 July 2012 08:21

Tiranë – Pas disa monografive për figura historike si ajo për Dom Nikollë Kaçorrin dhe Musa Demin, historiani, ekspert për historinë e Çamërisë, Hajredin Isufi, publikon një monografi të re kushtuar një figure që është pak e njohur, Jasin Sadikun.

Ai njihet si kapedani çam i Margëlliçit, një figurë interesante e historisë së Çamërisë në vitet ’30-’40 të shekullit të kaluar, pikërisht në atë periudhë kur u vendos fati tragjik i kësaj treve shqiptare.

Libri “Jasin Sadiku, kapedani çam”, botuar nga shtëpia botuese “Naimi”, në kuadër të “Javës Çame”, zbulon enigmën e një prej vrasjeve më të bujshme gjatë Luftës së Dytë Botërore në Çamëri, pikërisht vrasjen e Jasin Sadikut në dhjetor 1942, në një nga periudhat më të komplikuara të historisë së kësaj krahine, kur ndërthureshin e vepronin shumë faktorë njëherësh si pushtimi italo-gjerman, fronti fashist dhe antifashist në Greqi, ndërkohë që pritej orientimi i komunitetit çam në këtë katrahurë.

Jasin Sadiku, kapedani i Margëlliçit, njeriu më me ndikim e autoritet në këtë krahinë, i cili sapo kishte finalizuar një kuvend mirëkuptimi mes shqiptarëve myslimanë e të krishterë si edhe komunitetit vllah të krahinës, vritet pabesisht nga një bashkëpunëtor i Napolon Zervës. Për më tepër, siç del nga libri, Jasin Sadiku ishte i ftuar edhe në konferencën e Pezës si përfaqësues i krahinës së Prevezës.

Kush qëndronte pas kësaj vrasje të bujshme për kohën, që intrigonte shqiptarët mes njëri-tjetrit, përkatësisht myslimanë e ortodoksë, rrymat politike e nacionaliste greke dhe qarqet fashiste pushtuese? Libri i Hajredin Isufit jep hollësi mbi rolin dhe synimet e të gjithë aktorëve në këtë vrasje dhe pasojat imediate dhe të mëvonshme mbi shqiptarët e Çamërisë. LajmeShqip.com)