Lajme Shqip Thursday, 07 June 2012 19:10

Prishtinë – Gjatë ditës së dytë së vizitës zyrtare në Japoni, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, takoi ministrin e Punëve të Jashtme të Japonisë,  Koichiro Gemba.

“Japonia është ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe është ndër shtetet që kanë ndihmuar më së shumti Republikën e Kosovës që nga përfundimi i luftës e deri më sot”, theksoi kryeministri Thaçi, duke falënderuar për përkrahjen që Japonia po i jep Kosovës në mënyrë të vazhdueshme.

Kryeministri, sipas zyrës së shtypit të qeverisë kosovare, theksoi nevojën e thellimit të marrëdhënieve bilaterale në mes të Republikës së Kosovës dhe Japonisë në fushën e ekonomisë, bujqësisë, shkencës, arsimit dhe kulturës. 

Ministri i jashtëm, Gemba konfirmoi përkrahjen e qeverisë japoneze, duke shprehur mbështetjen e plotë për Kosovën dhe vizionin e saj për anëtarësim në BE dhe në NATO. “Japonia ndihet krenare që ka ndihmuar popullin e Kosovës dhe do të vazhdojë të bëjë një gjë të tillë edhe në të ardhmen”, theksoi ministri Gemba.

Kryeministri Thaçi u takua sot edhe me zv/ministrin Parlamentar të Punëve të Jashtme, Kazuyuki Hamada, të cilin e falënderoj për përkushtimin e diplomacisë japoneze për njohje të Republikës së Kosovës, lidhjen e marrëdhënieve diplomatike, si dhe ndihmën dhe mbështetjen dhënë Kosovës në shumë sfera prej kohës së pasluftës e deri më tani. Në veçanti, kryeministri Thaçi e falënderoi Hamada për angazhimin e tij personal si promotor i fuqishëm i Kosovës në Japoni, duke mundësuar edhe realizimin e kësaj vizite historike, që është vizita e parë e një kryeministri të Kosovës në Japoni.

“Është kënaqësi të bashkëpunoj me vendin tuaj”, theksoi Hamada, duke premtuar vazhdimin e angazhimit të tij në ndihmë të Kosovës, në arritjen e njohjeve dhe në promovimin e Republikës së Kosovës në Japoni. (LajmeShqip.com)