Lajme Shqip Friday, 13 January 2012 23:38

Prishtinë-Me rastin e paralajmërimit të protestës së organizuar nga Vetëvendosja në vendkalimet kufitare me Serbinë, më 14 janar 2012, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, në një deklaratë bën thirrje që mos t’i kalojnë të drejtat kushtetuese e ligjore.

“Në  mbështetje të së drejtës për protesta të qytetarëve dhe organizimeve të  tyre, u bëj thirrje drejtuesve të  Vetëvendosjes që mos t’i  kalojnë të drejtat kushtetuese e ligjore, që  janë të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thekson ai.

Kryeparlamentari kosovar shton se partitë, si subjekte në institucionin më të lartë përfaqësues, ligjvënës dhe mbikëqyrës të jetës publike, shoqërore e institucionale, janë të obliguara të kontribuojnë dhe ndihmojnë në sundimin e rendit e të ligjit, në sigurinë dhe stabilitetin politik të shtetit tonë të ri.

“Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me reciprocitetin kërkohet të zbatohet  nga Qeveria e Kosovës dhe jo nga ndonjë subjekt partiak. Kuvendi nuk e ka ngarkuar Vetëvendosjen dhe as ndonjë subjekt tjetër partiak për të zbatuar vendimin për reciprocitet”, thekson Krasniqi.

Ai u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të shfrytëzojnë të drejtën qytetare për të protestuar dinjitetshëm, për të ndihmuar në funksionimin e jetës institucionale, për ruajtjen e sigurisë e stabilitetit të vendit.