Prishtinë – Kosova festoi me mirënjohje për miqësinë e përjetshme Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Festojmë bashkërisht suksesin tonë të përbashkët në Kosovë dhe miqësinë e përjetshme”, tha sonte Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në ceremoninë e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, organizuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.
“Sot ju bashkohemi qindra milionë amerikanëve, qytetarëve të botës së lirë, që po kremtojnë 236 vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tokës së mundësive të mëdha”, u shpreh ajo.
Presidentja Jahjaga theksoi se “qytetarët e Kosovës, të cilët në momentet e tyre më të vështira të historisë, atëherë kur edhe qenia e tyre ishte vënë në pikëpyetje, patën pranë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përkushtimin e popullit amerikan, për t’i shpëtuar dhe për t’i ndihmuar të gjejnë paqen”.
Duke iu drejtuar ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell, Presidentja Jahjaga, tha “të festojmë bashkërisht suksesin tonë të përbashkët në Kosovë dhe miqësinë e përjetshme”.
“Më lejoni që në emër të qytetarëve të Kosovës t’iu shpreh admirimin për suksesin e ndërtimit të një shteti shembull në botë. Të festojmë bashkërisht suksesin tonë të përbashkët në Kosovë dhe miqësinë e përjetshme. Amerika është një vend që unë dhe qytetarët e Kosovës do ta kemi gjithmonë shumë, shumë për zemër. Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë Amerikën dhe miqësinë mes dy vendeve tona!”, ka thënë ndër të tjera presidentja. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 July 2012 21:33