Lajme Shqip Monday, 03 October 2011 14:40

Prishtinë- Kosova është duke punuar për forcimin e sundimit të ligjit, trajtimin e korrupsionit dhe për sfidat e zhvillimit ekonomik, tha presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.

“Ne jemi të brengosur që sot në zyrën e vet është vrarë Drejtori i Arsimit të Prishtinës. Kjo është e patolerueshme dhe shpreh nivelin e ulët të marrëdhënieve në shoqëri që flet se ne duhet të forcojmë sundimin e ligjit si parakusht për jetë të qetë e normale për secilin qytetar”, theksoi ajo.

“Ne jemi duke e përditësuar të gjithë legjislacionin tonë për t’u bërë më efikas në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të gjitha dukurive negative”, shtoi presidentja e Kosovës.

Sipas saj “integrimi evropian në vete ngërthen një sërë hapash të cilat duhet t’i realizojmë”.

“Në këtë drejtim, me punën tuaj të ndershme, profesionale dhe me integritet, me respektimin dhe zbatimin e pa kompromis të ligjit, ju siguroni se në Kosovë askush nuk është mbi ligjin”, theksoi Presidentja Jahjaga, në ceremoninë e diplomimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë.