Lajme Shqip Friday, 06 January 2012 15:43

Prishtinë-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga u uroi sot festën e Krishtlindjeve ortodokse të gjithë besimtarëve ortodoksë.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës! Me rastin e festës së Krishtlindjes ortodokse, ju shpreh urimet më të mira. Uroj që këtë ditë të dashurisë dhe të mirëkuptimit për njëri-tjetrin ta kaloni me gëzim në familjet e juaja, në paqe dhe në harmoni me të gjithë të dashurit tuaj”-thuhet në mesazhin e presidentes së Kosoëvës.

Jahajaga vijon më tej duke thënë se Kosova është shembull i mirë i bashkëjetesës, i mirëkuptimit dhe i tolerancës në mes njerëzve me etni dhe besim të ndryshëm. “Le të shërbejë kjo ditë feste për të shtuar edhe më shumë dashurinë dhe respektin ndërmjet gjithë qytetarëve, me besimin e plotë për një të ardhme më të mirë dhe më të begatë për të gjithë”-përfundon mesazhi.

Edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, uroi sot Peshkopin Teodosije dhe besimtarët ortodoksë të Kosovës, me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.

“Kam nderin dhe privilegjin e veçantë që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim t’u uroj Festën e Krishtlindjeve Ortodokse”, thuhet në urim.

Kryeministri Thaçi thekson se kjo festë e rëndësishme për besimtarët ortodoksë bart mesazhin e kultivimit të vlerave më të mira të besimit, respektit, harmonisë dhe paqes në shoqërinë tonë të lirë, demokratike dhe multietnike.

“Festa e Krishtlindjeve e gjen Republikën e Kosovës me institucione të konsoliduara dhe gjithëpërfshirëse, duke përmbushur axhendën institucionale të integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian”, shtoi ai.

Po kështu edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i dërgoi një telegram urimi Peshkopit Teodosije me rastin e festës së Krishtlindjeve Ortodokse.

“Kam kënaqësinë t’ju uroj gëzuar për shumë mot Krishtlindjet ortodokse, Juve dhe besimtarëve. Në këtë ditë të shenjtë, lus Zotin që ju dhe të gjithë qytetarët ortodoksë të Republikës së Kosovës, të keni gjithmonë paqe, shumë begati dhe harmoni”, thuhet në urim. Krasniqi uron që në Kosovë të mbretërojë paqja, mirëkuptimi e toleranca. (LajmeShqip.com)