Prishtinë – Në SHBA mora përkrahjen dhe mbështetjen konkrete për të gjitha çështjet e diskutuara, tha sot Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e sapokthyer nga Uashingtoni.
“Kosova është shtet i pavarur, është shtet sovran, ka integritetin e saj territorial dhe ka sovranitetin e saj dhe përkrahja e SHBA për Republikën e Kosovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen, si shtet që është faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon”, theksoi Presidentja Jahjaga.
Ajo theksoi se vizita ishte në funksion të avancimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-së.
“Kosova tanimë nuk shihet vetëm si një shtet që ka nevojë për ndihmë, por si një vend që mund të kontribuojë fuqishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke qenë një shembull i mirë i ndërtimit të jetës së përbashkët të qytetarëve, duke i respektuar vlerat që tanimë i kemi ndërtuar. Po ashtu, ne si shtet i kemi ngritur të gjitha kapacitetet e nevojshme dhe jemi ta gatshëm të marrim pjesë në të gjitha misionit dhe iniciativat rajonale dhe ndërkombëtare”, tha Jahjaga.
Presidentja Jahjaga theksoi se gjatë vizitës në SHBA u takua me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, me nënsekretaren amerikane të Mbrojtjes, Michele Flournoy, me kryeprokurorin e SHBA-ve, Eric Holder, me drejtorin e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Robert Mueller, me senatorët Mark Kirk dhe Ross Johnson, me ish-sekretaren amerikane te Shtetit, Madeleine Albright, si dhe me një varg personalitetesh të njohura, ndërsa pati edhe dy ligjërata në dy universitete prestigjioze.
“Në takime shtrova një varg çështjesh që janë në interes të Kosovës dhe të qytetarëve të Kosovës. Në të gjitha këto takime mora përkrahjen dhe mbështetjen konkrete, për të gjitha çështjet e diskutuara”, tha Presidentja Jahjaga.
Tuesday, 20 December 2011 17:45