Lajme Shqip Friday, 27 May 2011 20:20

Prishtinë – “Kosova pret me padurim që të japë kontributin brenda komunitetit transatlantik dhe BE-së”, tha sot në fjalën e saj, Presidentja Atifete Jahjaga në Samitin e liderëve të Evropës Qendrore, në Varshavë.

Presidentja Jahjaga vlerësoi se një hap i rëndësishëm në transformimin e Evropës ishte ndërhyrja e NATO-s në Kosovë.

“Kjo shënoi intervenimin e parë ‘jashtë zonës’ së Aleancës, për të mbrojtur jetët e njerëzve dhe për të promovuar normën ndërkombëtare të së drejtës për të mbrojtur. Për shkak të NATO-s dhe të BE-së dhe si rezultat i politikave të tyre të dyerve të hapura, Evropa Juglindore e ka mbyllur kapitullin e konflikteve dhe vendet e Ballkanit Perëndimor janë në fazën përfundimtare të tranzicionit. Në ditët e sotme, NATO dhe BE po dëshmojnë se janë gjeneratorë të paqes, sigurisë dhe i tranzicionit demokratik përtej kufijve të Evropës”, theksoi Presidentja Jahjaga.

Presidentja prezantoi arritjet që ka bërë Kosova, ku janë krijuar institucionet funksionale shumetnike të shtetit.

“Kosova, si një anëtar i përkushtuar i komunitetit transatlantik, zotohet për të njëjtat ideale dhe parime të larta të lirisë, paqes, demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave, me të cilat udhëhiqen demokracitë e tjera”, theksoi ajo.

Duke çmuar se “Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me shumicën e fqinjëve”, Jahjaga tha se “jemi duke bërë çmos për t’a kthyer një faqe të re në marrëdhëniet me Serbinë. Përkundër të kaluarës, Kosova dhe Serbia duhet të jenë fqinj dhe një ditë, gjithashtu do të jemi miq. Kjo është e ardhmja jonë dhe me padurim e pres atë ditë”.

Jahjaga, duke iu drejtuar samitit të liderëve të Evropës Qendrore tha se “Evropa do të jetë e tërë dhe e bashkuar atëherë kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Republikën e Kosovës, të jenë plotësisht të integruara në BE dhe NATO”.