Prishtinë – Kosova shtet sovran dhe i pavarur është faktor paqeje dhe stabiliteti, tha Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, gjatë një vizite që po zhvillon në SHBA.
“Ne sot po ndërtojmë paqen. Duke ndërtuar një shoqëri qytetare me liri dhe të drejta të garantuara për të gjithë, duke ndërtuar një demokraci të mirëfilltë, ne japim kontributin tonë edhe si falënderim konkret miqve tanë me të cilët e fituam luftën, duke qenë sot Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur faktor paqeje dhe stabiliteti”, theksoi ajo.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, mori pjesë në meshë në Katedralen Shën Gjergji, të Kryekishës Ortodokse Shqiptare, në Boston, të drejtuar nga Arqipeshkvi, Ati Arthur Liolin.
Kisha e Shën Gjergjit në Boston është drejtuar nga atdhetari i njohur shqiptar Fan Stilian Noli në fillim të shekullit XX.
Në fjalën e rastit që mbajti aty, Presidentja e Republikës së Kosovës e vlerësoi lart punën e komunitetit shqiptar në SHBA dhe kontributin e këtij komuniteti për Kosovën.
Presidentja Jahjaga, në kuadër të vizitës në SHBA, vuri kurora lulesh te varri i atdhetarit, publicistit dhe shkrimtarit shqiptar, Fan Stilian Noli, në varrezat në Boston.
Ajo vuri një kurorë lulesh edhe tek vendi ku më parë preheshin eshtrat e veprimtarit të shquar Faik Konica. Edhe me këtë rast ajo theksoi se “diaspora shqiptare në Amerikë e kishte, e ka dhe do ta ketë rolin e veçantë për të ardhmen tonë dhe për rrugën e integrimeve euroatlantike”.
Monday, 05 March 2012 10:45