Lajme Shqip Thursday, 22 December 2011 17:17

Prishtinë-Mosnjohja e shtetit të Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian paraqet pengesa për rrugën e integrimit euroatlantik të Kosovës, tha presidentja Atifete Jahjaga gjatë takimit në Prishtinë me presidentin e Hungarisë, Pál Schmitt.

Shmitt që ka ardhur në Kosovë për të vizituar trupat hungareze që shërbejnë në kuadër të KFOR-it. Presidentja Jahjaga shprehu respektin për punën e angazhimin e ushtarëve hungarezë në kuadër të KFOR-it në Kosovë duke u shprehur urimet më të përzemërta për Krishtlindjen dhe për familjet e tyre.

Ajo i shprehu presidentit Schmitt falënderimet për angazhimin e tij dhe të shtetit hungarez për çështjen e Kosovës. Ajo tha se mosnjohja e shtetit të Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian paraqet pengesa për rrugën e integrimit euroatlantik të Kosovës.

Presidenti i Republikës së Hungarisë, z. Pál Schmitt, pasi përgëzoi Presidenten Jahjaga për punën që po bën, theksoi se ai dhe vendi i tij i japin mbështetje të plotë të gjitha proceseve në Kosovë.

Presidenti Pál Schmitt tha se Kosova duhet të kryejë ë gjitha reformat në vend dhe të gjitha detyrat që dalin në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, duke shtuar se të gjitha vendeve të Ballkanit duhet t’u tregohet perspektiva e qartë evropiane. (LajmeShqip.com)