Lajme Shqip Wednesday, 13 June 2012 13:21

Ndihma e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën ka qenë dhe vazhdon të jetë e rëndësishme, ndërsa programet e këtij fondi dhe partnerëve të tjerë kanë mundësuar arritjen dhe zbatimin e projekteve të rëndësishme për vendin.

Këto komente,  Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga i bëri gjatë takimit me drejtoreshën e FMN-së, Christine Lagarde në Uashington. Jahjaga tha se projektet e FMN-së kanë mundësuar qëndrueshmërinë financiare të Kosovës. Ajo tha se nënshkrimi i marrëveshjes stand by me FMN-në do të ndihmojë në përkrahjen e programeve ekonomike të Kosovës që do të mundësojnë qëndrueshmërinë fiskale.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova po tregon përkushtim në përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga marrëveshjet me FMN-në dhe me të gjitha institucionet e tjera financiare ndërkombëtare dhe gjithashtu po dëshmon stabilitet fiskal. “Institucionet e Kosovës kanë treguar përkushtimin e tyre duke krijuar kuadrin e nevojshëm ligjor dhe politik që mundëson procesin e përmbylljes së fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë. Institucionet e vendit kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm edhe në miratimin e Ligjit për bankat dhe mikrofinancat”, u shpreh Jahjaga.

Drejtoresha e FMN-së, Christine Lagarde tha se FMN-ja dhe Kosova po shënojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme. Ajo theksoi Kosova në aspektin teknik është në pozitën më të mirë në Ballkan dhe ka treguar disiplinë institucionale. Lagarde tha se FMN-ja do të vazhdojë ndihmat për Kosovën në projekte të ndryshme, ndërsa u interesua edhe projektet në fushën e energjetikës.

Ndërkaq, në takimin me kryesuesen e nënkomitetit të Senatit të SHBA-së për Evropë, senatoren Jeanne Shaheen, presidentja Jahjaga theksoi se Kosova po e përfundon me sukses fazën e mbikëqyrjes së pavarësisë së saj dhe vlerësoi se prania ndërkombëtare ushtarake e NATO-s është e nevojshme edhe më tutje për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt. Në kuadër të konferencës “Frontiers of Development”, presidentja e Kosovës u takua edhe me administratorin e USAID, Rajiv Shah. (LajmeShqip.com)