Prishtinë – Kosova çmon dhe respekton diversitetin kulturor e nacional, tha sot Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, e cila priti në takim një delegacion të koalicionit “Vakat” të komunitetit boshnjak në Kosovë, që përfaqësohen në institucionet e vendit.
Në bisedë me delegacionin e komunitetit boshnjak, Presidentja Jahjaga theksoi se përfshirja e këtij komuniteti në institucionet e Kosovës dëshmon përkushtimin e tyre për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe gjithëpërfshirëse.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të angazhuara për krijimin e kushteve më të mira të jetesës dhe për një mirëqenie më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit. Përfaqësimi i të gjitha komuniteteve në Këshillin Konsultativ për Komunitete është edhe një dëshmi që në Republikën e Kosovës çmohet dhe respektohet diversiteti kulturor e nacional”, tha ajo.
Anëtarët e delegacionit të komunitetit boshnjak thanë se “Republikën e Kosovës e ndiejnë si shtetin e tyre dhe se angazhohen në ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet të gjitha komuniteteve”.
Ata biseduan me Presidenten Jahjaga për çështjet dhe të drejtat e komunitetit boshnjak si dhe për nevojën, sipas tyre, të vazhdimit të procesit të decentralizimit, përmes të cilit do të realizonte të drejtat e tij ky komunitet. (LajmeShqip.com)
Friday, 11 May 2012 19:01