Lajme Shqip Friday, 30 December 2011 15:30

Prishtinë-“Kosova është shtet i ndërtuar në parimin qytetar dhe respekton vlerat e secilit komunitet”, tha Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, e cila priti sot një delegacion të Parlamentit të Turqisë, të kryesuar nga anëtari i këtij parlamenti, Rifait Sait.

Presidentja Jahjaga, vlerësoi ndihmën që Turqia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës në të gjithë fushat dhe tha se është i nevojshëm thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit.

Presidentja Jahjaga theksoi se anëtarësimi i Kosovës në nismat dhe mekanizmat rajonale dhe ndërkombëtare është i domosdoshëm dhe tha se po punohet në axhendën evropiane për vendin.

Nga ana e tij, Sait garantoi se Turqia do të jetë përkrah Kosovës në të gjitha proceset dhe do të jetë një lobuese e fuqishme në vendet e Kaukazit dhe në vendet islamike.

“Për Turqinë paqja dhe stabiliteti në Kosovë nënkupton edhe paqe dhe stabilitet në gjithë rajonin e Ballkanit”, theksoi ai. (LajmeShqip.com)