Prishtinë – Presidentja Jahjaga vlerëson se forca paqeruajtëse e NATO-s është me rëndësi të ndihmojë në procesin e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel, duke garantuar sigurinë për të gjithë qytetarët që jetojnë në pjesën veriore.
Pas takimit që ka pasur me admiralin James Stavridis Jahjaga theksoi se Kosova është e përkushtuar për zbatimin e marrëveshjes. Në njoftimin për media thuhet se presidentja ka thënë se është me rëndësi që Republika e Serbisë të zbatojë në tërësi marrëveshjen e arritur, sepse sipas saj do të mund të ecej drejt relaksimit të raporteve dhe në rrugën e integrimeve evropiane.
Jahjaga tha se Forca e Sigurisë së Kosovës, që po ndërtohet me ndihmën e NATO-s, ka arritur të përmbushë gjithë kapacitetet e saj operacionale.
Komandanti i krahut Jugor të NATO-s, admirali James Stavridis, që do të largohet nga kjo detyrë së shpejti, e vlerësoi lartë bashkëpunimin që ka pasur me presidenten dhe gjithë institucionet e tjera të Kosovës. Ai tha se prania e NATO-s në Kosovë vazhdon të jetë e rëndësishme për të ofruar një mjedis të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, posaçërisht në këtë periudhë të arritjes së marrëveshjeve në Bruksel.(LajmeShqip.com)
Wednesday, 01 May 2013 14:29