Prishtinë-Me rastin e vdekjes së ish-Presidentit të Çekisë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ngushëlloi sot popullin dhe udhëheqjen e Çekisë.
Në telegramin e saj ndër të tjera thuhet se “vdekja e Havelit është një humbje e madhe për popullin dhe shtetin çek, por edhe për gjithë popujt liridashës në botë”.
Në telegram thuhet gjithashtu se “populli dhe institucionet e Kosovës do ta përkujtojnë çdoherë mikun dhe përkrahësin e madh të vendit, i cili ngriti zërin që në vitet e nëntëdhjeta për ndaljen e dhunës serbe në Kosovë, duke u bërë një ambasador dhe përkrahës i pandalshëm i aspiratës dhe luftës për liri”.
“Kujtimi për jetën dhe veprën e mikut të madh të Kosovës, Vaclav Havel do të mbetet i përhershëm” përfundon telegrami i presidentes Jahjaga.
Thaçi: Havel, personalitet i përmasave evropiane dhe botërore
Vdekja e ish presidentit të Çekisë, Vaclav Havel, është humbje e një personaliteti me përmasa evropiane dhe botërore, që luajti rol të rëndësishëm në transformimin e Çekosllovakisë nga një shtet federal në dy shtete të pavarura, me rrugë paqësore.
Kështu thekson kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mesazhin me rastin e vdekjes së ish- presidentit çek, Vaclav Havel, të cilin e vlerëson intelektual të profilit të lartë.
“Vaclav Havel u shqua si dramaturg dhe intelektual i lartë, që mbajti qëndrim të drejtë dhe përkrahu përhapjen e demokracisë në vendet që u sunduan gjatë nga diktatura dhe sistemi monist në Evropën Lindore e më gjerë”, shkruan Thaçi.
Sipas tij “Vaclav Havel, duke qenë intelektual i profilit të lartë, la gjurmë humaniste në diplomaci dhe fushëveprimin politik, duke u bërë figurë e çmuar në përhapjen e vlerave të lirisë, demokracisë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut”.
Thaçi shprehet se “qytetarët e Kosovës me respekt do ta kujtojnë rreshtimin e drejtë të burrështetasit dhe intelektualit çek gjatë kohës së ndërhyrjes së NATO-s mbi forcat ushtarake dhe policore serbe në vitin 1999, kur bota euratlantike u vu në mbrojtje të Kosovës”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 18 December 2011 18:26