Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 20:23

Prishtinë- Dialogu i Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së duhet të ofrojë zgjidhje evropiane të cilat duhet  të garantohen nga Bashkimi Evropian, tha sot Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila priti në takim ambasadorin e Republikës së Francës në Prishinë,  Jean François Fitou.

Presidentja Jahjaga dhe ambasadori Fitou biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në veçanti për procesin e përmbylljes së fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë. Ambasadori Fitou theksoi se Kosova dhe gjithë rajoni, ka perspektivë evropiane dhe theksoi nevojën e thellimit të reformave në vend.

Presidentja Jahjaga, sipas zyrës së saj, tha se faza e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë shënon një sukses të institucioneve dhe të qytetarëve të Kosovës si dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Ajo tha se Kosova shtet sovran dhe i pavarur duhet ta ketë të qartësuar rrugën evropiane dhe e vlerësoi  fillimin e dialogut për vizat.

Presidentja Jahjaga tha se marrëdhënia kontraktuale me BE-në do ta ndihmonte Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane.

Ajo tha se dialogu i Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së duhet të ofrojë zgjidhje evropiane të cilat duhet  të garantohen nga Bashkimi Evropian.