Lajme Shqip Wednesday, 07 November 2012 15:16

Prishtinë – Kosova ka nevojë për punë dhe kjo realizohet përmes zhvillimit të ekonomisë dhe mbështetjes të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Trejsi Xhejkobson tha se zhvillimin ekonomik të një vendi, e shtyjnë përpara ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe sipas saj, sa më shumë që të ketë zhvillim të tyre, aq më shumë do të ketë mundësi të reja të punës. Në një promovim të bizneseve me temën Financimi i Rritjes së Bizneseve dhe Krijimi i Vendeve të Punës në Kosovë,  Xhejkobson, tha se bashkëpunimi është në të mirë të Kosovës.  “Ngjarja e sot me tregon raste te suksesshme te bashkëpunimit  në mes të donatorëve për të  shërbyer aty ku duhet. Në këtë rast Qeveria  amerikane dhe ajo norvegjeze kanë bashkëpunuar ngushtë për të arritur qasje të dobishme në mbështetje financiare. Ky ka qenë një bashkëpunim shumë produktiv dhe do të ketë një përfitime afatgjata për Kosovën”. Ministri i bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se sektorët më prioritar në bujqësi, janë sektorët e blegtorisë dhe hortikulturës. Ai tha se investimi në bujqësi, krijon vende të reja të punës dhe këto  kërkesa çdo ditë e më shumë po rriten.

Jan Braathu, ambasador norvegjez, tha se Kosova ka nevojë për vende pune, të qëndrueshme, të cilat mund të arrihen vetëm përmes ndërmarrësisë, në një ekonomi garuese dhe fleksibile. Qeveria duhet të krijoj korniza të përshtatshme ligjore në mbështetje të bizneseve tha ai.(LajmeShqip.com)