Mitrovicë – Konflikti i sotëm me KFOR-in i kriminelëve serbë në veri të Kosovës, është një skenar i përgatitur mirë në këtë vikend në Beograd, nga krerë të politikës, policisë dhe ushtrisë serbe, në njërën anë, dhe nga krerë të politikës dhe të krimit të organizuar të serbëve të veriut të Kosovës, në anën tjetër.
Burime të Portalit LajmeShqip.com brenda KFOR-it, kanë bërë të ditur se konfrontimet dhe incidentet, mbrëmë dhe sot, në veri të Kosovës, konkretisht në Jarinjë, janë rezultate të skenarit të një takimi të mbajtur në mbrëmjen e së dielës (25 shtator) në Beograd.
Sipas burimit, në takim kanë marrë pjesë Vojisllav Koshtunica, Tomislav Nikoliq, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe një pjesëtar tjetër i ushtrisë së Serbisë, emrat e të cilëve burimi nuk ka mundur t’i saktësojë.
Po sipas burimit ekskluziv të portalit, nga serbët e Kosovës, në këtë takim kanë qenë prezentë Milan Ivanoviq, Marko Jakshiq, Zvonko Veselinoviq, i ashtuquajturi kryetar i Mitrovicës së Veriut, Kërstimir Pantiq, Dushan Miloviq, kryetar i komunës paralele të Zveçanit dhe Sllavisha Ristiq, kryetar i komunës paralele të Zubin Potokut.
Serbët e veriut të Kosovës morën instruksionet për veprim, ndërkaq bandave kriminale në front kundër KFOR-it, u ngarkua t’iu prijë krimineli me damkë, Zvonko Veselinoviq. Ai, ishte komanduesi i serbëve që ia kthyen tytat KFOR-it në Jarinjë, nga ku, sipas informatave të deritashme, rezultuan të plagosur shumë kriminelë serbë dhe katër ushtarë paqeruajtës të KFOR-it.
Portali, përmes burimeve të veta, mëson se KFOR-i e ka identifikuar Zvonko Veselinoviqin mbrëmjen e shkuar të ketë qenë prezent në Jarinjë, ashtu siç ka saktësuar se kundërpërgjigja me zjarr nga KFOR-i ka ardhur pasi një ushtar i KFOR-it ishte plagosur, përkatësisht ishte qëlluar nga snajperistë serbë në Jarinjë.
Bëhet e ditur, gjithashtu, se në takimin e Beogradit, ku u hartua skenari, nuk kanë qenë prezentë dy udhëheqës të tjerë të strukturave paralele në veri, të ashtuquajturit kryetar i komunës së Leposaviqit Branko Niniq dhe kryetari i Qarkut të Mitrovicës, Radoslav Ndelkoviq. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 27 September 2011 15:29