Lajme Shqip Friday, 28 October 2011 18:01

Zagreb – Ish-kryeministri kroat Ivo Sanader, menjëherë pasi që në fillim të gjykimit për shkak të problemeve shëndetësore me zemrën është shpallur i paaftë për ta përcjellë debatin, nga Gjykata e Zhupanit në Zagreb është transferuar në pavijonin për kardiologji në Qendrën klinike spitalore në Zagreb.

Ai do të hospitalizohet disa ditë, nëse mjekët vlerësojnë se është e nevojshme të kryhet koronografi.

Sanader ngarkohet për profiteri luftarake, sepse gjatë luftës në vitin 1994-1995 ka realizuar provizion prej 3,61 milionë kunave (483 mijë euro) nga huaja e Hipo Bankës.

Gjykimi është ndërprerë gjysmë ore pas fillimit për shkak të gjendjes shëndetësore të të akuzuarit, sepse eksperti i përhershëm gjyqësor, Vlladimir Gasparoviq konfirmoi se Sanadari ka probleme me zemrën, se vuan nga hipertensioni i gjakut dhe çrregullim në metabolizmin e yndyrërave.

Gjykatësi, Ivan Turudiq seancën e ardhshme e caktoi për 3 dhe 4 nëntor, ndërsa duke e pranuar vlerësimin e ekspertit deklaroi se nuk është në rregull që Sandar paraprakisht nuk i ka kryer të gjitha intervenimet mjekësore, gjë që ka mundur ta bëjë që nga kontrolli më 5 shtator.