Lajme Shqip Thursday, 22 December 2011 09:45

Romë-Senati italian pritet të votojë sot masat anti krizë të qeverisë Monti, pasi paketa e re morri miratimin e Dhomës së ulët të parlamentit rreth një javë më parë.

Buxheti i reduktuar i Italisë, ka hyrë tashmë në fazën finale, ndërsa po shqyrtohet në Senat. Por këto masa që janë vlerësuar nga BE, po sfidohen nga sindikatat dhe Liga e Veriut në opozitë.

Senatori i ligës së veriut, Roberto Calderoli i bëri sërish thirrje Montit të tërheqë këto masa ndërsa paralajmëroi për pasoja nëse ai vazhdon ti kërkojë punëtorëve shumë sakrifica.

“Jep dorëheqjen tani, le të shkojmë në votime sepse përndryshe shumë shpejt do të ketë shumë njerëz, punonjës të fabrikave, pensionistë apo sipërmarrës që do të vijnë të të kapin në shtëpi”-tha ai dje në parlament.

Kreu i senatit, Renato Schifani ka premtuar se masat do të miratohen para krishtlindjeve. Megjithëse kanë hyrë në fuqi që pas miratimit të qeverisë Monti në 4 dhjetor, ato duhet të marrin mbështetje të plotë nga parlamenti brenda 60 ditësh.

Qytetarët në rrugë shprehen se këto masa duhet të ishin më të drejta, por si zakonisht godasin më shumë shtresën e mesme dhe atë të ulët.

Sipas një sondazhi të publikuar të djelën nga e përditshmja “Corriere della Sera” popullariteti i kryeministrit Monti ka rënë në 46 % nga 61 që ishte një javë më parë. (LajmeShqip.com)