Lajme Shqip Saturday, 29 October 2011 08:31

Shkodër – Shkrimtari Ismail Kadare u ndal tek marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje, gjatë një takimi, dje pasdite, në kuadër të projektit “Dy gjuhë, një libër”, në Bibliotekën e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Ndërsa përsa i përket integrimit të Shqipërisë në Evropë, ai tha se “Shqipëria është në Evropë dhe populli ynë thjesht po ribëhet evropian”.

Sipas tij, Evropa është një orkestër ku çdo komb sjell diçka, ndërsa Shqipëria, sipas Kadaresë ka shumë për të përçuar në Evropë, siç është harmonia fetare, apo dhe figura e Ismail Qemalit, i cili ishte i pari që ngriti zërin kundër genocidit armen.     

Kadare tha se gjuha jonë renditet ndër 10-12 gjuhët themeltare në Europë, gjë që nuk theksohet pothuajse asnjëherë nga shkrimtarët tanë, e që sipas Kadaresë është mungesë nderimi ndaj kësaj gjuhe.

Kadare u ndal edhe tek rendësia që ka gjuha shqipe, e cila sipas tij, nuk mund të konsiderohet një gjuhe e vogël, pasi edhe populli shqiptar nuk është i vogël.

Projekti “Dy gjuhë, një libër” është projekti i parë që zbaton Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në kuadër të projekteve IPA Cross- border Cooperation Programme.

Ky projekt financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet në bashkëpunim me OJQ Prostory nga Podgorica, OJQ Camaj-Pipa nga Shkodra dhe Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi.