Lajme Shqip Thursday, 28 April 2011 17:51

Tiranë – Deputeti i PS-së, Kastriot Islami, përmes një analize të shifrave të zgjedhjeve të 2009-s dhe projeksionit për rezultatin e 8 majit, gjykon se në Tiranë, referuar numrit 11 të minibashkive, “gjasat janë që rezultati 9 me 2 në favor të së majtës së bashkuar në 2007-n ‘të përmbyset” deri në 7 me 4 (plus apo minus 1) në favor të koalicionit qeveritar”.

“Kjo do të thotë se përmbysja do të arrinte në masën 45% – 55% të rasteve. Ky do të ishte një leksion tjetër i hidhur për të majtën e përçarë, pas dështimeve në 2005-n dhe 2009-n dhe “suksesit relativ” në 2007-n, nga një ribashkim ende jo shumë efikas”, thotë Islami në një analizë të publikuar të enjten në të përditshmen “MAPO”.

Në parashikimin e tij deputeti socialist kategorizon minibashkitë që kanë shanse më të larta fitoreje për Partinë Demokratike dhe këtu përfshin minibashkitë nr. 8 dhe 11; ndërsa Partia Socialiste shanset më të larta për fitore i ka në minibashkinë nr.5.

Minibashkitë me shanse mesatare fitoreje për Partinë Socialiste janë minibashkia nr. 3, ndërsa Partia Demokratike ka shanse mesatare fitoreje në minibashkitë nr. 6, 9 dhe 10.

Sa i takon minibashkive të diskutueshme, sipas parashikimit të deputetit socialist, ato janë katër: minibashkia nr. 1, 7, 2,4 ku rezultati është shumë i ngushtë dhe lehtësisht i përmbysshëm.

“Dy prejt tyre 1 dhe 7 janë me prirje për t’u fituar nga PS, kurse dy të tjerat 2 dhe 4 me prirje për t’u fituar nga koalicioni qeveritar”, thotë Islami.

Deputeti i PS-së, duke analizuar klimën politike dhe ndikimin e saj në rezultatin e 8 majit,  gjykon se ajo nuk do të jetë një faktor që do të ndikojë ndjeshëm në rezultatin zgjedhor. “Situata është politikisht pothuajse e balancuar, duke mos avantazhuar asnjërën palë”, thotë ai.

Sipas Islamit, suksesi elektoral në këto zgjedhje do të mbështetej:

1) në analizën e rezultateve të 2009-s;

2) në madhësinë (dinamikën e ndryshimit) dhe LSI-në si forcë e tretë politike në Kuvendin e Shqipërisë, e cila luan “king maker”politik, (forcë përcaktuese për ndërtimin e maxhorancës) dhe është në test nëse do ta luajë përsëri këtë rol tani nga këndvështrimi elektoral;

3) pjesëmarrja në votime, e cila “tradicionalisht” në zgjedhjet vendore është më e ulët sesa ajo në zgjedhjet e përgjithshme paraprirëse.