Prishtinë – Në ditën e tetë të grevës, një pjesë e Kryesisë së Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, kanë vendosur të ndërrojnë mënyrën e të protestuari, duke marrë hapa më radikal. Ata tashmë janë futur në grevë të urisë dhe thonë se nuk do ta ndërprenë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Kryetari i Këshillit, Xhevdet Qeriqi ka deklaruar të hënën se vendimi për të hyrë në grevë urie ka ardhur si rrjedhojë e mosinteresimit të institucioneve të vendit.
Duke refuzuar mënyrën e protestës, ai thotë se do të vazhdojnë me grevë, e cila sipas tij pritet të zgjerohet edhe me veteranë të tjerë.
Kurse, anëtari i këtij Këshilli, Ylber Selmani ka deklaruar se këtë grevë nuk e bëjnë me dëshirë, por se janë të detyruar, pasi që shumica e veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve, janë të mllefosur nga trajtimi jo i drejt që iu bëhet nga institucionet.
Duke parë mosinteresimin e institucioneve për kërkesat e tyre, grevistët që nga sot e ndërrojnë mënyrën e grevës. Shtatë anëtarë të kryesisë së Këshillit Organizativ kanë hyrë në grevë urie. Selmani theksoi se greva e tyre do të ndalet vetëm atëherë kur të plotësohen të gjitha kresat e tyre.
Ai ripërsëriti kërkesat e grevistëve që urgjentisht të sillet në Parlament Ligji për vlerat e luftës, duke miratuar dhe implementuar sa më shpejt. UÇK-së dhe luftës së saj t’i bëhet njohje politike, duke e bërë kategori kushtetuese. Veteranët e luftës, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të kenë trajtim nga Ministria e Mbrojtjes dhe jo Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Dhe kërkesa e fundit është që veteranët dhe invalidët e luftës të kenë imunitet dhe të mos kenë ndjekje penale për krime lufte. Ndryshe, sipas përfaqësuesve të këtij këshilli, ata janë të hapur për të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe qytetarët, mirëpo deri më tash janë vizituar nga pesë grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës, por që nuk është arritur asnjë kompromis. Ata po ashtu, ai bëri thirrje të gjithë bashkëluftëtarëve që t’i bashkëngjiten grevës dhe së bashku të mundohen t’i realizojnë kërkesat e tyre të drejta.
Monday, 30 May 2011 17:31