Lajme Shqip Wednesday, 05 October 2011 13:45

Kreu i ALUIZNI-t për Tiranën, Ferdinand Shehu është shkarkuar dje nga detyra përmes një njoftimi të zyrës së personelit për mungesë të integritetit personal.

Por ai pohon se shkarkimi ka ardhur pas përplasjeve me Shaban Meminë dhe se gjithçka tjetër që është thënë për të është vetëm shpifje.

“Këto janë shpifje ordinere me të cilat unë do të përballem në gjykatë për të vërtetuar pastërtinë e figurës sime. Unë po ju them se jam ende në detyrë. Ma ka ardhur një njoftim nga zyra e personalit që unë jam shkarkuar nga funksioni i drejtorit të degës së Tiranës, por pa asnjë motivacion”-është shprehur Ferdinand Shehu.

Në lidhje me akuzat për kohën e komunizmit Shehu shpjegon se “Së pari, unë në vitin 1988 kam mbaruar shkollën për inxhinieri, dhe po ju them me nota të shkëlqyera. Me thoni ju ku ka kam pasur unë kohë fizike, për tu rekrutuar e më pas për të bashkëpunuar me strukturat e Ministrisë së Brendshme. Veç kësaj unë në vitin 2009 kam qenë kandidat për deputet i Partisë Demokratike, dhe sigurisht që s’mund të jesh një kandidat për Kuvendin e Shqipërisë në rast se unë do të isha pjesë e strukturave të tilla. Por nga ana tjetër, unë shtroj pyetjen si ka mundësi që këto dokumente na u zbuluakan tashmë pasi unë kam vite që jam pjesë e strukturave drejtuese të ALUIZNI-t. Këto janë shpifje të ndyra me të cilat unë do të përballem në gjykatë”.

Sipas Shehut, arsyeja e shkarkimit të tij nga detyra nuk ka të bëjë aspak me këto akuza. “Ajo që është e vërtetë mbi shkarkimin tim është marrëdhënia e komplikuar mes meje dhe drejtorit të ALUIZN-it, z. Shaban Memia. Për shkak të këtyre marrëdhënieve të acaruara që ekzistojnë prej muajsh ka ardhur ky vendim, por që të ngrihen akuza kaq të turpshme nuk e prisja”.

Në mbrojtje të ish-kreut të ALUIZN-it të Tiranës ka dalë edhe deputeti demokrat Flamur Noka. “Nuk besoj se Fredinand Shehu të ketë qenë pjesë e strukturave të hetuesisë gjatë regjimit komunistë”.

Ai deklaroi më tej se “Unë nuk besoj se këto informacione janë të vërteta, qoftë edhe për faktin se nuk i takon ALUIZNI-t të bëjë verifikimin e pastërtisë së figurave”-tha dje Noka.