Tiranë – Investimet e Huaja Direkte (IHD) në Shqipëri janë rritur në mbi 1 miliard dollarë gjatë vitit 2010, duke u bërë vendi i dytë në Europën Juglindore, pas Serbisë, që thith më shumë IHD.
Fluksi i IHD-së në Europën Juglindore ra me 47% në vitin 2010, pjesërisht si rezultat i rënies së investimeve nga vendet e BE-së (burimi kryesor tradicional i IHD-së në rajon).
Në veçanti, Greqia që ka qenë portë ose përcjellëse e investitorëve të huaj në Europën Juglindore, nuk ishte më pikë hyrjeje pas përkeqësimit të krizës së brendshme ekonomike.
Raporti i Investimeve Botërore 2011 tregon se flukset e IHD-së në botë u rritën lehtë gjatë vitit 2010, por mbetën rreth 15% nën mesataren e parakrizës. Raporti parashikon që në dy vitet në vijim, me përjashtim të ndonjë tronditjeje të paparashikuar ekonomike, flukset e IHD-së do të përmirësohen, duke kapur vlerën e parakrizës.
Promovimi dhe lehtësimi i investimeve vazhdojnë të mbeten element dominues në politikat kombëtare të investimeve. Megjithatë, rreziku i proteksionizmit ndaj investimeve është rritur si rezultat i akumulimit gjatë viteve të fundit të masave kufizuese ndaj investimeve dhe procedurave administrative.
Raporti i sivjetshëm fokusohet në modelet e biznesit “pa pjesëmarrje në aksione” të prodhimit ndërkombëtar. Këto modele paraqesin mundësi për ekonomitë në zhvillim dhe në tranzicion për t’u integruar më mirë në ekonominë botërore, për të forcuar potencialin e kapaciteteve prodhuese vendase, si dhe për të përmirësuar konkurrencën ndërkombëtare.
Ai tregon si dhe pse këto modele biznesi si prodhimi me elementë të kontraktuar, nënkontraktimi i shërbimeve, kontraktimi i fermave, franciza dhe liçencimi po përdoren gjithnjë e më shumë nga korporatat shumëkombëshe në menaxhimin e zinxhirit global të krijimit të vlerës.
Aktivitetet ndërkufitare në mbarë botën, të lidhura me këto modele biznesi, janë domethënëse dhe veçanërisht të rëndësishme për vendet në zhvillim. Për shembull, në vitin 2010 ato gjeneruan rreth 2 trilionë dollarë shitje në botë, punësuan rreth 14-16 milionë punonjës në vendet në zhvillim, dhe në disa industri përbënin rreth 70-80% të eksporteve botërore. Raporti studion faktorët shtytës të rritjes së këtyre modeleve të biznesit, shkallën, qëllimin, ndikimin që kanë në fushën e zhvillimit si dhe politikat nxitëse.
Saturday, 01 October 2011 16:12