Lajme Shqip Thursday, 29 December 2011 14:30

Tiranë-Tregtia me vendet e BE-së zuri 67.3% të shkëmbimit të mallrave gjatë muajit Nëntor, sipas INSTAT-it, ku eksportet arritën vlerën 16,813 milionë lekë dhe importet vlerën 47,194 milionë lekë.

Sikurse gjatë gjithë vitit, partnerët kryesorë tregtarë edhe në nëntor vazhduan të jenë Italia dhe Greqia.

Me Italinë eksportet arritën në 59.3% ndaj totalit dhe importet 29.9%. Ndërsa me Greqinë eksportet zunë 5.9% dhe importet 10.3% ndaj totalit të tyre.

Në Nëntor eksportet u rritën drejt vendeve të tjera si Kroacia, Spanja, Turqia, etj, ndërsa importet u zgjeruan në tregjet e Austrisë, Gjermanisë, Italisë, Kinës, Turqisë, etj.

Krahasimi me muajin paraardhës për disa nga grup mallrat tregon rritje të eksporteve për grupet “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 38.1%, “Prodhime druri dhe letre” me 19.3%, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 8.4%, ndërsa u ulën 25.6% të grupit “Produkte kimike dhe plastike”.

Rritje pësuan importet për grupet “Prodhime druri dhe letre” me 25.7%, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me 22.1%,  “Tekstile dhe këpucë” me 9.2%, ndërsa u ulën për grupin “Materiale ndërtimi dhe metale” me 16.3% më pak.

Ndikimin më të madh në uljen e importeve e dhanë mallrat e akcizës gjatë muajit Nëntor, ku kryesuan ato të produkteve të naftës, kryesisht karburantet, të cilat krahasuar me muajin tetor u ulën me 51.7%.

Në nëntor importi i mallrave me akcizë zuri 7.2% ndaj totalit dhe në vlerë 3,408 milionë lekë. Por krahasuar me Tetorin ato pësuan ulje në 51.7%, ku peshën kryesore, me 67.2% e zunë nënproduktet e naftës.(LajmeShqip.com)